Garë kokë më kokë mes Harris dhe Trump. Kandidatja demokrate është pak përpara në Michigan, kandidati republikan në shtetet e tjera përveç Wisconsin, ku janë në barazi të plotë. New York Times: Ekipi i Kamala është pak optimist
Rezultatet në nivel kombëtar
Do të jetë një sfidë për votën e fundit, veçanërisht në shtatë shtetet kyçe (Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin) që do të vendosë se kush, midis kandidates demokrate Kamala Harris dhe kandidatit republikan Donald Trump, do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e ardhshëm si president.
Një javë para ditës së madhe, sondazhet zbulojnë një situatë kokë më kokë në secilën nga shtatë shtetet vendimtare. Nisur nga projeksionet në nivel kombëtar, Harris është përpara me 48.1% kundrejt 46.6% të Trump. Më tej, 5.3% mbeten të pavendosur. Por këto të dhëna llogariten pak ose aspak, sepse me sistemin zgjedhor amerikan – çdo shtet cakton një numër “zgjedhësish të mëdhenj” në përpjesëtim me madhësinë e tij demografike – beteja do të copëtohet deri në nivel qarqesh.
Shtatë vendimtaret
Prandaj, më indikative janë sondazhet e shteteve kyçe. Sipas të dhënave ditore që faqja e internetit FiveThirtyEight përpunon bazuar në gjetjet e fundit, Harris mendohet se ka një avantazh të vogël (+0.5%) në Michigan ndërsa Trump e ka në Pensilvani (+0.3%) dhe Nevada (+0.2%). Megjithatë, diferenca është pak më e theksuar, përsëri për kandidatin republikan, në Arizona (+1.90%), Georgia (+1.50%) dhe Karolinën e Veriut (+1.30%). Barazim plotë në Wisconsin. Vetëkuptohet se me distanca kaq të ngushta dhe me të panjohurat e pjesëmarrjes, të votës së pavendosur dhe të surprizave të mundshme e të paparashikueshme në këto ditë të fundit të fushatës elektorale, rezultati mund të jetë padyshim ndryshe nga sa pritet.
Një shembull? Deklaratat raciste të komedianit pro Trump Tony Hinchcliffe të dielën në mbrëmje në skenën e Madison Square Garden (“Ka një ishull lundrues mbeturinash në mes të oqeanit. Unë mendoj se quhet Puerto Rico”) nuk do t’i pëlqejnë komunitetit portorikan, i cili, veçanërisht në Pensilvani, është i shumtë në numër. Në një shtet që katër vjet më parë u fitua nga demokratët me vetëm 82,000 vota (1.12%), nëse vetëm disa mijëra njerëz do të vendosnin të shkonin dhe të votonin apo edhe të ndryshonin zgjedhjen e tyre në minutën e fundit në favor të Harris, mund të rezultojnë vendimtare.
Optimizëm i moderuar
Edhe strategjia e përqendrimit te vota e femrave dhe ngjyrosja e Trumpit si “fashist” për frazat e tij mbi besnikërinë e gjeneralëve të Hitlerit, sipas strategëve, po funksionon. Sipas asaj që zbulon New York Times, spin doktorët në ekipin e Harris janë mesatarisht optimistë për arritjen e një fitoreje, ndonëse të ngushtë, falë treguesve nga sondazhet e tyre të brendshme se kandidatja është në një pozicion solid në shtetet e “blue wal” (muri blu, ose 18 shtetet që demokratët i kanë fituar gjithmonë në çdo zgjedhje që nga viti 1992, përveç vitit 2016 kur Trump fitoi Michiganin, Pensilvaninë dhe Wisconsinin). Edhe në ekipin e Trump ka optimizëm se mund të pushtojë të paktën një shtet të “murit blu”, por – zbulon gjithmonë gazeta e Nju Jorkut – ka edhe pak shqetësim pikërisht për këtë “reductio ad Hitlerum” që mund të lëvizë votat vendimtare të të moderuarve. / bota.al