1 vit nga lufta/ Tirana solidarizohet me Ukrainën

AKTUALITET


Një vit nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës, qytetarët në Tiranë zhvilluan një manifestim, pas ftesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në mbështetje të qëndresës heroike të popullit ukrainas. Qytetarët marshuan nga rruga “Ukraina e Lirë” deri te Bashkia e Tiranës, me flamuj të Ukrainës në duar.

Në marshim, së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, morën pjesë ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali etj.


“Jam mirënjohës për të gjithë qytetarët e Tiranës që janë këtu. Pavarësisht bindjeve tona politike, ne jemi mbledhur për të treguar se kjo histori nuk njeh moshë, kjo histori njeh karakter, nëse karakteri ynë është në vendin e duhur, atëherë përtej çdo diference tjetër, ne sot qëndrojmë me Ukrainën. Jam krenar që sot Tirana ka një rrugë me emrin “Ukraina e Lirë”. Nuk ka fabul më të bukur sesa ta nisnim këtë marshim nga rruga “Ukraina e Lirë”, për të përfunduar në atë që quhet “Parku Europa”, si një metaforë e rrugëtimit tonë. Se nëse nuk jemi të lirë vetë, nuk shkojmë dot në Europë, e nëse nuk luftojmë për lirinë e vendit tonë, nuk e kemi destinacionin e asaj që quhet Europë edhe vokacionin tonë perëndimor”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë dha mesazhin se Tirana nuk ka harruar, por është solidarizuar me aq sa mundet për të mbështetur e ndihmuar Ukrainën mike.

“Përpara pak muajsh isha në Kiev, në Ukrainë, dhe pata një takim me Presidentin Zelenski dhe me Kryetarin e Bashkisë së Kievit, Kliçkov. Nuk kam për ta harruar një bisedë me Presidentin Zelenski, i cili më tha: “Kisha dy shqetësime, dy frikëra. Frika e parë ishte se do niste agresioni dhe pushtimi. Kjo ndodhi. Dhe s’ka asgjë që ne mund të bëjmë për ta kthyer mbrapsht atë që ndodhi. Frika ime e dytë është nëse bota do na harrojë. Harresa është ndoshta tragjedia më e madhe e agresionit. Për këtë – tha ai – dua ndihmën tuaj, të kryetarëve të tjerë të bashkisë, të të gjitha qyteteve, popujve, shteteve, që kjo e dyta të mos ndodhë; të mos harrohet, të mos injorohet, të mos neglizhohet. Ndaj, dua që të gjithë të japim një mesazh nga Tirana se jo vetëm nuk harrojmë, por që jemi të mobilizuar me aq sa mundemi, aty ku mundemi dhe ashtu si mundemi, për të mbështetur, për të ndihmuar, për të përkrahur dhe për të solidarizuar me Ukrainën mike, me Ukrainën heroike dhe me Ukrainën Europiane”, u shpreh Veliaj.

Ambasadorja Yuri Kim tha se SHBA është dhe do të jetë gjithmonë përkrah popullit të Ukrainës dhe se do ta mbështesë derisa të jetë nevoja.

“Vetëm pak ditë më parë presidenti Biden shkoi në Kiev dhe nuk duhet të jetë asnjë dyshim se ku qëndrojnë SHBA. Ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës. Nuk duhet të ketë dyshim që ne do të jemi me popullin e Ukrainës, për sa kohë të nevojitet. Presidenti Biden i kujtoi botës se Putini e kishte gabim kur mendonte se Ukraina ishte e dobët, apo se perëndimi ishte i përçarë. Perëndimi është si asnjëherë më parë i bashkuar. Populli i Ukrainës kanë mundur t’ia dalin mbarë pavarësisht të gjitha sfidave”, tha ambasadorja e SHBA në Tiranë.

Ambasadori i Ukrainës në vendin tonë, Volodymyr Shkurov falenderoi në veçanti Bashkinë e Tiranës për ndihmën humanitare ndaj popullit ukrainas.

“E mbaj mend mirë datën 18 prillit të vitit të kaluar, kur ne marshuam nga qendra e Sheshit Skënderbej në rrugën që sot falë përpjekjeve të një miku të Ukrainës, kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mban emrin “Ukraina e lirë”. Falenderoj popullin shqiptar për ndihmën humanitare ndaj popullit ukrainas. Përgëzime nga zemra shkojnë edhe për Bashkinë e Tiranës dhe personalisht për kryebashkiakun Veliaj, përfaqësues të qeverisë, partitë politike, ambasadorë, miq dhe të gjithë ju që jeni prezent”, tha Ambasadori i Ukrainës.

Ambasadori i Britanisë, Alastair King-Smith u shpreh: “Dua t’i shpreh falenderimet Shqipërisë dhe popullit shqiptar për vendosmërinë tuaj, së bashku me aleatë të tjerë me të njëjtin mendim, dhe me të njëjtën përkrahje për Ukrainën dhe popullin se saj dhe për të drejtën, për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Shqipëria, Britania e Bashkuar dhe po ashtu, edhe aleatët e tjerë qëndorjnë me njëri-tjetrin krah për krah, për të adresuar këtë konflikt dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë së bashku , të gjithë për të thënë që Rusia nuk mundet të minojë jo vetëm stabilitetin e Ukrainës, por stanilitetin e Evropës, të Ballkanit Prendimor dhe të gjithëve”.




Skip to toolbar