14 maji: Meta: Ecim të sigurt drejt fitores

Më të fundit


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për politizim ekstrem të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit. Meta i ftuar në ‘Real Story’ me Sokol Ballën në Report TV tha se politizim në maksimum i kësaj fushate elektorale nga ana e Ramës vjen si pasojë e mungesës së bilancit të punës për kryebashkiakët që kanë drejtuar 60 bashkitë e vendit përveç Shkodrës.

Duke folur për fokusin e kësaj fushate, Meta përmendi Këlliçin, Carën dhe Boçin, duke nënkuptuar se bëhet fjalë për një garë të fortë në këto tre bashki të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.


“Politizimi ekstrem i fushatës është provokuar nga vetë kryeministri aktual Edi Rama i cili duke mos patur një bilanc në drejtimin e bashkive, përpiqet të devijojë momentin e ballafaqimit mes kandidatëve dhe përpiqet  ta politizojë në mënyrën më ekstreme derisa në gjithë Shqipërinë e fitlloi me ato portretet ekstreme të cilat ishin të panevojshme sepse është fushatë vendore. Fokusi i kësaj fushate kanë qenë Këlliçi, Cara dhe Boçi sepse kanë mbajtur një peshë të madhe në këtë fushatë”-tha Meta.

Duke folur për fushatën në bashkinë e Tiranës, Meta tha se veprimet e Këlliçit si ai me posterat e gishtit të mesit drejtuar korrupsionit si dhe mesazhet e automatizuara në telefonat e qytetarëve, nuk përbëjnë shkelje dhe janë të drejta.

“Është mbytur e gjithë Shqipëria me billbordet e Edi Ramës. Ca të vogla ka Belindi. Gishtat  e mesit? Kundër korrupsionit ishin, të drejtë ishin se vetëm për një drejtor nxorën që ka përfituar 25 milionë euro në tenderat e bashkisë”- tha Meta.

Kreu i PL-së, foli edhe për një tjetër temë që së fundmi ka qenë në qendër të debatit politik, konkretisht mbi deklaratat Fredi Belerit për helenizimin e Himarës. Sipas Metës, kjo temë është nxitur nga Rama sepse ky i fundit është i shqetësuar për mbivendosjet e pronave në Himarë.

Ndërsa sa i takon pyetjes së gazetarit Sokol Balla, nëse opozita do të pranojë rezultatin e 14 majit në rast humbjeje, Meta zgjodhi t’i përgjigjet duke u shprehur i bindur për fitoren pavarësisht se sipas tij standarti i zgjedhjeve është ‘groposur’ nga Edi Rama.

“Ne ecim të bindur drejt fitores pas 3 ditësh, u bëjmë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhje dhe të thonë fjalën e tyre për të ardhmen jo vetëm të bashkive por të demokracisë. Standaret e zgjedhjeve i ka groposur Edi Rama ende pa nisur”-nënvizoi kreu i PL-së.

Ai bëri thirrje që qytetarët të marrin pjesë masivisht në votime, me argumentin se ata të cilët nuk votojnë nuk kanë të drejtë të kërkojnë llogari.




Skip to toolbar