200 mijë euro për një vend pune, kapet 30-vjeçarja

AKTUALITET


Pas arrestimit të bashkëshortit për mashtrim, në pranga ka rënë edhe gruaja, 30 vjeçarja Migena Kajolli e cila është dënuar me 8 vite burg nga gjykata e Apelit në Vlorë. Emri i Migena Kajollit është i njohur për policinë pasi një vit më parë ajo është ndaluar bashkë me bashkëshortin Fisnik Kajolli. Që të dy kishin arritur të fitonin jo pak por 200 mijë euro duke mashtruar njerëzit se do t’i punësonin në kompani të ndryshme.  Bashkëshorti i saj ndodhet në burg. Pas tij edhe 30 vjeçarja do të vuaj dënimin me burg pasi akuzohet për veprat penale, “Mashtrimi” dhe “Mashtrimi në bashkëpunim me pasoja të rënda”.

Skema e mashtrimi

Çifti Kajolli nga Dërmënasi i Fierit kishte nisur aktivitetin e paligjshëm të mashtrimit të personave të ndryshëm për përfitimin e parave që prej vitit 2016. Ata u premtonin qytetarëve se do punësoheshin në kompanitë private të naftës dhe i merrnin nga 2-3 mijë euro secili. Për ta bërë të besueshme skemën e tyre të mashtrimit, Migena Kajolli, e cila dyshohet të ketë qenë ideatorja e kësaj skeme, u thoshte personave që u kishte marrë paratë se në telefonin e tyre do të mbërrinte një mesazh konfirmimi nga kompania. Dhe pasi kalonin disa ditë, në telefonat e personave që kishin paguar shumat e parave për t’u punësuar, mbërrinte mesazhi i konfirmimit se kërkesa e tyre për punësim ishte regjistruar në sekretarinë e kompanisë dhe po shqyrtohej. Nga hetimet ka rezultuar se këto mesazhe konfirmimi i niste 30-vjeçarja Migena Kajolli. Ndërkohë, për të qenë edhe më të besueshëm tek personat që mashtronin, bashkëshortët Kajolli nënshkruanin edhe akte noteriale me ta se paratë jua kishin marrë në formë borxhi.

Finsik dhe Migena Kajolli nuk janë mjaftuar me kaq. Ata kanë nisur të mashtrojnë edhe kundrejt shumave të mëdha. Kështu, kanë arritur të bindin dy persona, motër e vëlla, se do t’i bënin aksioner në një prej kompanive private që operojnë në sektorin e naftës dhe se kështu do të kishin përfitime të mëdha. Fillimisht ata kanë arritur të bindin motër e vëlla, F.H dhe N.H, që t’u japin 35 mijë euro dhe 8 milionë lekë të vjetra dhe më pas shumën prej 89 milionë lekëve të vjetra, me premtimin se do t’u mundësonin të ishin aksionerë në një kompani private nafte. Edhe me këta të dy, bashkëshortët kanë nënshkruar akte noteriale se ju detyroheshin në shumën e parave që ju kishin marrë. Prokuroria ka arritur të mbledhë një sërë provash, duke filluar nga aktet noteriale deri te mesazhet telefonike që vërtetojnë këtë skemë mashtrimi. Dyshohet se çifti Kajolli përgjatë dy viteve ka përfituar rreth 200 mijë euro nga kjo skemë mashtrimi.



Skip to toolbar