KQZ: Hapat që ndiqen për të votuar, mundësi edhe për qytetarët me pasaportë e ID të skaduar

AKTUALITET


Shqipëria voton sot për zgjedhjet parlamentare ku të drejtë vote kanë 3,713,761 qytetarë shqiptarë, brenda e jashtë vendit, nga të cilët 114,642 të rinj i drejtohen për herë të parë kutive të votimit.

Për të kontrolluar emrin në listën e zgjedhësve dhe qendrën e tyre ku votojnë, qytetarët kanë tre mundësi; pranë njësisë së tyre administrative, nëpërmjet aplikacionit KQZ si dhe në faqen zyrtare të KQZ: kqz.gov.al.

Gjithashtu, qytetarët mund të gjejnë adresën e qendrës së tyre të votimit edhe përmes shërbimit elektronik “Kërkimi i qendrës së votimit (QV)” në platformën e-Albania.

KQZ ka publikuar mënyrën e votimit nga qytetarët, që nga identifikimi elektronik, një sistem që garanton që secili të ushtrojë të drejtën e votës vetëm një herë dhe vetëm në qendrën ku është i regjistruar.

Qytetari mund të votojë për subjektin zgjedhor dhe gjithashtu mund të votojë vetëm njërin nga kandidatët e po atij subjekti.

Në zgjedhjet e sotme parlamentare do të kenë mundësi të votojnë edhe ata qytetarë të cilëve u kanë skaduar dokumentet e identifikimit. Qeveria mori vendim për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë të dokumenteve të identitetit, të cilave u ka skaduar ose u përfundon ky afat në datë 11 Maj 2025, për shtetasit me vendbanim brenda territorit të Shqipërisë.

Hapat për të votuar:

  • Paraqitu në Qendrën e Votimit me dokumentin e identitetit, pasaportë ose letërnjoftim.
  • Trego dokumentin e identitetit përpara Komisionit të Qendrës së Votimit.
  • Komisioni i Qendrës së Votimit do të skanojë dokumentin tuaj të identitetit nëpërmjet Pajisjes së Elektronike të Identifikimit dhe më pas nënshkruaj duke lënë shenjën e gishtit.
  • Merr fletën e votimit dhe sigurohu që të jetë e vulosur me dy vula, në faqen që nuk janë të shënuara subjektet zgjedhore.
  • Shko i vetëm në dhomën e fshehtësisë bashkë me fletën e votimit Shëno me shenjën X ose + brenda kuadratit të bardhë përbri preferencës tënde, në fletën e votimit.
  • Palos fletën e votimit në dhomën e fshehtësisë, në mënyrë që zgjedhja juaj të mos
  • identifikohet dhe të paktën një nga vulat të jetë e dukshme.
  • Hidh fletën në kutinë e votimit dhe largohu nga Qendra e Votimit.

Procesi i votimit si dhe më pas edhe i numërimit do të monitorohet nga vëzhgues afatshkurtër dhe afatgjatë, vendas dhe të huaj.



Skip to toolbar