22 pallate të konfiskuara nga KKT, mbi 97 mijë metra katror sipërfaqe ndërtim do i kalojë shtetit 

AKTUALITET



Këshilli Kombëtar i Territorit ka firmosur deri më tani 22 vendime për konfiskimin e ndërtesave pa leje.


9 prej tyre janë në Tiranë, ndërsa të tjerat në Kavajë, Durrës, Vlorë, Sarandë e Himarë.

Nga shtatori deri më tani, janë konfiskuar 22 ndërtime pa leje. Ato nuk janë gjetur vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe.

Të dhënat dalin nga një njoftim i Këshillit Kombëtar të Territorit, ku është vendosur që këto pallate dhe shtesa të merren nga shteti për qëllimi strehimi.

Më konkretisht, 9 prej tyre, janë konfiskuar në Tiranë, 5 në Kavajë, 4 në Vlorë, 2 në Himarë, 1 në Sarandë dhe 1 në Durrës.

Pasaporta e këtyre ndërtesave nuk është zbardhur ende nga KKT, me vendndodhjen dhe emrat e firmave apo biznesmenëve që i kanë ngritur në mënyrë abuzive.

Por, për të gjitha këto vendime ka një sipërfaqe të përgjithshme që do të kalojë për interes publik, që arrin në 97 500 metër katror.

Aksioni për gjetjen dhe dekurajimin e ndërtuesve që shkelin rregullat e ndërtimit, nisi në shtator 2022, kur Këshilli i Ministrave miratoi vendimin e konfiskimeve, përmes të cilit pronarët e pallateve ose duhet ta blejnë ndërtimin pa leje me çmim tregu, ose t’ja dhurojnë shtetit, që ky i fundit të strehojë familjet që humbasin shtëpitë, kur preken nga projekte të ndryshme.




Skip to toolbar