240 milionë lekë për ndërmarrjet sociale, qeveria do të subvencionojë pagën minimale për 3 vjet

AKTUALITET


Qeveria shqiptare ka miratuar një fond prej 240 milionë lekësh për ndërmarrjet sociale, me qëllim punësimin dhe integrimin e individëve që janë pjesë e skemës së mbrojtjes sociale për një periudhë 3-vjeçare. Në lidhje me këtë vendim të qeverisë, foli edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Qeveria ka miratuar një seri vendimesh të rëndësishme në kuadër të politikave të mbrojtjes dhe përfshirjes sociale, për kategoritë në nevojë dhe zgjerimit të mekanizmave që mundësojnë mbështetjen sociale të grupeve të dizavantazhuar dhe fuqizimin ekonomik të tyre nëpërmjet integrimit në tregun e punës duke miratuar një vendim që vjen në zbatimin të ligjit për ndërmarrjet sociale dhe përcakton format e mbështetjes nëpërmjet subvencionit për ndërmarrjet sociale për periudhën 2023-2025”. Format e mbështetjes për ndërmarrjet sociale nëpërmjet subvencionit do të bëjnë të mundur që individë nga kategoritë e dizavantazhuara që janë pjesë e programeve të mbrojtjes sociale apo pjesë programeve e të papunësisë të mund të punësohen duke mundësuar që shteti të subvencionojë pagën minimale për ta për një periudhë prej 3 vitesh si dhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore për këta individë. Kjo formë e re e ndërmarrjeve sociale vjen për të mbështetur organizatat jofitimprurëse, të cilët hapin forma të reja të ndërmarrjeve sociale me qëllim që të integrojnë në ta pikërisht këto individë të kategorive vulnerabël”, tha Manastirliu.


Ajo vijoi më tej duke shtuar se, një prej kritereve që duhet të përfitojnë ndërmarrjet sociale pasi të përfitojnë statusin e ndërmarrjes sociale është që deri në 50% e të punësuarve do të jenë individë që janë pjesë e skemave sociale dhe e programit të daljes nga programi i ndihmës ekonomike.

“Ne kemi punuar fort për të bërë të mundur integrimin dhe riintegrimin e familjeve dhe individëve që janë pjesë e programeve tona sociale. Vetëm në vitin 2022 ne kemi mundësuar që më shumë se 3600 persona të cilët kanë qenë pjesë e ndihmës ekonomike të punësohen dhe të futen në kurse të formimit profesional”, tha Manastirliu.




Skip to toolbar