4 fëmijë të asfiksuar, zjarri shkrumbon pallatin në Fushë-Krujë

AKTUALITET


Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë katin e tretë të një pallati në fshatin Zallë të Fushë-Krujës.

Zjarri ka rënë në orët e para të mëngjesit të së shtunës dhe janë djegur 4 apartamente. Si pasojë kanë mbetur të asfiksuar 4 fëmijë.


Por fatmirësisht pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Zjarri është konstatuar nga një fëmijë në një nga hyrjet e pallatit. Fëmija ndodhej i vetëm në banesë, pasi prindërit ishin në punë. Rreth orës 07:00 ka parë zjarrin që kishte përfshirë pjesën e pasme të frigoriferit duke u kërkuar ndihmë fqinjëve, të cilët lajmëruan zjarrfikësen.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në të gjithë çatinë e ndërtuar me material druri, pasi ishte e vjetër, e ndërtuar në vitet ’70.

Për shuarjen e flakëve u angazhuan edhe zjarrfikëset e Krujës dhe Vorës, por edhe disa biznese me bote uji.

Fatmirësisht katër bombolat e gazit u nxorën me shpejtësi nga banesat e katit të tretë duke shmangur shpërthimet. Nga të dhënat e para dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike si pasojë e luhatjeve të tensionit.




Skip to toolbar