8 prokurorët e SPAK betohen para Metës dhe SHBA. Shkrihet Prokuroria e Krimeve të Rënda

#NËRADAR


Ashtu siç ishte njoftuar, 8 prokurorët e parë të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, kryen betimin përpara Presidentit Ilir Meta, në prani të përfaqësuesve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian si dhe organizatave që punuan për hartimin e Reformës në Drejtësi. Altin Dumani, Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi, prej të enjtes së 19 dhjetorit janë zyrtarisht në detyrë.

Në një njoftim të presidencës, thuhet se, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para Presidentit Meta: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”


Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, drejtuesja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, Kreu i KLP, Gent Ibrahimi, Ambasadori i BE Luigi Soreca, përfaqsues nga Ambasada e  Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së.

Ndërkohë, pas cereomonisë së betimit, të enjten Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bëjë dhe emërimin e Kryetarit të SPAK. Në garë janë Altin Dumani, Edvin Kondili dhe Arben Kraja. Ata dhanë intervista publike përpara anëtarëve të KLP të mërkurën. Ndërkohë, prej kësaj të enjte shkrihet zyrtarisht Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ajo e Apelit për Krime të Rënda.

Dosjet hetimore që të kësaj prokurorie i kalojnë SPAK. Paralelisht me krijimin e SPAK, po të mërkurën Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi ngritjen e Gjykatës së Posaçme e cila do të gjykojë dosjet hetimore të SPAK, ndërsa zëvendëson Gjykatën e Krimeve të Rënda. /Realstory.al/




Skip to toolbar