Kuvendi do të mblidhet javën e ardhshme më 9 Qershor, për të vendosur për shkarkimin e Presidenti Ilir Meta. Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar socialist, tha këtë të hënë se konferenca e kryetarëve u njoh me raportin e Komisionit Hetimor, që sipas tij është shumë konsistent.
“Jemi njohur me raportin e Komisionit Hetimor. Është një raport shumë konsistent prej rreth 100 faqesh dhe që natyrshëm deputetët e Kuvendit do të marrin kohën e duhur për ta shqyrtuar. Kemi rënë dakord që seanca plenare për shqyrtimin e raportit dhe më pas votimin e shkarkimit të Presidentit të zhvillohet me datën 9 Qershor ora 10:00”, tha Balla.
Por ajo që dihet me siguri është që nëse deputetët do të miratojnë shkeljet e Komisionit Hetimor, vendimin përfundimtar do ta marrë Gjykata Kushtetuese. Balla tha se nuk do të komentojë për këtë çështje derisa “Kushtetuesja” ta vlerësojë dhe të japë një vendim.
“Kjo nuk ka të bëjë me mua, as me institucionin e Kuvendit të Shqipërisë. Kushtetuta është shumë e qartë që Kuvendi i Shqipërisë e përfundon procedurën e tij më 9 Qershor dhe më pas datës 9 Qershor është Gjykata Kushtetuese që do të vlerësojë nëse shkeljet e konstatuara nga ana jonë janë shkelje të rënda kushtetuese që hyjnë në parashikimet e kushtetutës për shkarkimin e Presidentit. Nuk do të bëj asnjë koment me këtë çështje derisa të shprehet Gjykata kushtetuese pasi është një institucion i pavarur”, u shpreh Balla.
Balla ka përsëritur qëndrimin e kryeministrit Rama se PS nuk e ka nisur procedurën e shkarkimit të Metës për të marrë Presidencës. Sipas Ballës, nëse Meta shkarkohet, emri i një Presidenti të ri do të kërkojë kohën e vet dhe mund të jetë pjesë e një pakete bashkëpunimi me opozitën që do të rikthehet në Kuvend.
“Rama ka qenë i qartë. Ajo që është e nevojshme është që PS nuk e ka nisur procedurën e shkarkimit të Presidentit Meta si nevojë për të pasur një përfaqësues të vetin në Presidencë. Iniciativa për shkarkimin e Presidentit ka ardhur si nevojë për ta çliruar nga një pengmarrje dhe abuzimi nga presidenti aktual. Procedura e presidentit të ri do të kërkojë kohën e vet dhe pse jo të jetë pjesë e një pakete bashkëpunimi me opozitën që do të rikthehet në kuvendin e Shqipërisë Në shtator. Besoj se me opozitën këto çështje mund t’i adresojmë së bashku për të pasur një dialog konstruktiv mazhorancë-opozitë”, tha Balla.
Po nëse nuk shkarkohet Meta do të betohen ministrat e qeverisë së re Rama tek ai? Balla tha se do të zbatohet Kushtetuta.
“Kushtetuta është libër i detyrueshëm për tu zbatuar nga gjithëkush. Ju e dini që Presidenti në fund të muajit Gusht është i detyruar të thërrasë seancën e parë të Kuvendit. Nëse nuk e ushtron këtë, Kuvendi e ushtron vetë dhe vetëmblidhet. Procedura e parë është verifikimi i mandateve, zgjedhja e kryetarit, përbërja dhe votimi i programit. PS po vazhdon procesin e vet të përgatitjes për këtë mandat të ri qeverisës. Do të thërrasim asamblenë brenda kësaj javë dhe më 12 Qershor do të kemi Kongresin”, tha Balla.