Policia e Shtetit njofton se është ekstraduar nga Belgjika shtetasi Kreshnik Kule, i cili është dënuar me 10 vite burg me akuzën e mashtrimit.
Ai së bashku me babanë e tij kanë mashtruar një shtetas shqiptar në vitin 2008, të cilit i kanë marrë 30 mijë dollarë me premtimin se do ta çonin në Kanada.
Kreshnik Kule 35 vjeç nga Tirana është dënuar me 10 vite burg në Shqipëri, ndërkohë që tashmë është ekstraduar nga Belgjika në bashkëpunim me Interpolin.
Njoftimi për shtyp i Policisë së Shtetit:
Vijon bashkëpunimi me homologët për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar
Estradohet nga Belgjika një shtetas i kërkuar për vepra penale në fushën e krimit ekonomik e financiar
Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Belgjika drejt Shqipërisë, i shtetasit Kreshnik Kule, 35 vjeç.
Shtetasi Kreshnik Kule është arrestuar nga autoritetet policore në Belgjikë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, pas informacioneve të dërguara nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2016 e ka dënuar këtë shtetas me 10 vjet burg, për veprën penale “Mashtrimi”.
Ky shtetas në bashkëpunim me të atin, në vitin 2008 kanë mashtruar një shtetas shqiptar dhe i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash (rreth 30.000 $) duke i premtuar që do të mundësonin dërgimin e tij dhe të familjes së tij në Kanada.