Peleshi në Romë: Mision kyç për ruajtjen e orientimit strategjik Euro-Atlantik

AKTUALITET


Shqipëria ka mision kyç , jo vetëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, por edhe orientimit strategjik Euro-Atlantik në rajon. Kjo u konfirmua nga Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi gjatë vizitës së tij zyrtare në Romë, ku u takua me homologun e tij, Z.Lorenzo Guerini.

Në qendër të diskutimit të dy ministrave të mbrojtjes ishte bashkëpunimi mes dy vendeve në këtë fushë, i cili ndër vite rezulton shumë intensiv. Nga ana e tij, ministri Peleshi e falenderoi përzemërsisht homologun Guerini për mbështetjen e pakushtëzuar të Italisë për Shqipërinë, në rrugën drejt Bashkimit Europian. Duke folur për situatën në Ballkanin Perëndimor, ministri Peleshi theksoi se; “një përshkallëzim negativ i situatës rrezikon efektin domino për të gjithë rajonin. Në këtë drejtim, Shqipëria dhe shqiptarët në rajon kanë një mision kyç, jo vetëm për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe prosperitetit, por edhe për të ruajtur orientimin strategjik Euro-Atlantik të rajonit. Shipëria është e përkushtuar të promovojë “Politikën e Dyerve të Hapura”, për të gjitha vendet e rajonit”.

Zoti Peleshi falenderoi Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Italisë, z. Guerini për mbështetjen që Italia i jep Kosovës si edhe për kontributin e Forcave të Armatosura Italiane në KFOR . “Kosova mbetet interes kombëtar për Shqipërinë, e cila tashmë me statusin e vendit anëtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023 do të lobojë fuqishëm në rritjen e numrit të vendeve që njohin pavarësinë e saj!”.

Sa i përket bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, të dy ministrat theksuan interesin e përbashkët për një vëmendje të madhe ndaj rreziqeve dhe sfidave që burojnë nga Drejtimi Strategjik Jugor i Aleancës. Me rëndësi u vlerësua rakordimi i qasjes mbi “Konceptin e Ri Strategjik të NATO-s”, i cili pritet të miratohet në Samitin e Madridit, në qershor.

Ministrat e Mbrojtjes të Italisë dhe Shqipërisë ranë dakord për vijimin e bashkëpunimit dypalësh reth sfidave të mbrojtjes kibernetike, apo edhe në fushën e arsimit apo trajnimit, për të cilat ministri Peleshi tha se hapin mjaft dritare mundësish për personelin shqiptar. Dy ministrat ranë dakord gjithashtu të zgjerojnë marrëveshjen aktuale në fushën e mjekësisë ushtarake. Teksa e falënderoi për mikpritjen, ministri Peleshi e ftoi homologun e tij për një vizitë në Shqipëri.



Skip to toolbar