“Heroi” i përgjimeve Arben Keshi, Johny Cash “pi” Dibre

#NËRADAR


Arben Keshi është një ndër personazhet kryesorë që del nga përgjimet e publikuara nga Bild, duke ngritur një sërë pikëpyetjesh se kush është ky person. Nga një verifikim i kryer nga Realstory.al rezulton se Arben Keshi ka pasur një karrierë si në polici, ashtu edhe në strukturat politike të Partisë Socialiste.

Nga të dhënat rezulton se shumë vite më parë, ai ka qenë funksionar i policisë, por i larguar nga policia në vitin 2003. Nga një vendim i Gjykatës së Lartë në vitin 2003 rezulton se Arben Keshi ka qenë drejtor policie në Kukës dhe është pezulluar nga detyra si i dyshuar për “shpërdorim detyre”. Vite më vonë, emri i tij del i lidhur me strukturat e Partisë Socialiste, gjë që konfirmohet edhe nga Kryeministri Rama.

Përgjimet e reja të BILD provojnë:

“Arben Keshi s’ka punuar në polici asokohe dhe ka qenë denbabaden kandidat komune në Maqellarë. E konfirmoj këtë bisedë dhe do e bëja prapë njësoj! Kush ka veshë le të dëgjojë”,deklaroi Rama në një reagim në Twitter.

Keshi rezulton në të paktën tre biseda kyçe në përgjimet e publikuara nga Bild. Në bisedën e parë me kryeministrin Rama, Keshi flet për pritshmëritë e rezultatit në Dibër, duke qenë se ai ishte anëtar i shtabit drejtues për fushatën në Dibër për zgjedhjet e përsëritura vendore në vitin 2016, ku informon Ramën si drejtues të PS, se rezultatet do të jenë brenda pritshmërive. Në bisedën e dytë, Keshi flet me ish-ministrin Gjiknuri, i cili ishte në atë kohë drejtues i fushatës në Dibër. Në këtë bisedë, Gjiknuri i thotë Keshit se do të dërgojë disa çuna me furgon, që të jenë aty, por që nuk do të duken se janë problematikë. Kurse në bisedën e tretë, Arben Keshi flet me ish-deputetin Artan Gaçi, ku i shpreh shqetësimin se ka tre vjet që pret për të filluar punë. Ndërsa Gaçi i shprehet se ka pirë kafe me shefin e madh, duke nënkuptuar Ramën dhe e njofton se i kishte folur me superlativa. Edhe kjo bisedë nuk duket implikuese për dy bashkëbiseduesit.

Por, duhet pasur parasysh se përgjimet flasin për zgjedhjet e përsëritura vendore në Dibër në vitin 2016, kur në krye të Bashkisë Dibër u zgjodh Muharrem Rama dhe fakt është që në shkurt të vitit 2017 Keshi është ripranuar në polici dhe është emëruar shef Komisariati në Bulqizë. Kjo e konfirmuar për Realstory.al nga Ministria e Brendshme.

Ndërsa në kohën kur janë zhvilluar zgjedhjet rezulton se Keshi ka qenë funksionar i Ministrisë së Brendshme, por në funksion civil dhe jo në polici. Për këtë, në vitin 2016, ka bërë një kallëzim Partia Demokratike në prokurori. Rreth 3 vite më parë Partia Demokratike dorëzoi në Prokurorinë për Krime të Rënda një kallëzim penal, ku shkruante se në Dibër po vepronte një grup i strukturuar kriminal, që blinte votat dhe kërcënonte votuesit dibranë për llogari të kandidatit të mazhorancës, Muharrem Rama. Në listën me emrat që Partia Demokratike ka dorëzuar asokohe në Prokurori dhe që sipas saj, ishin pjesë e grupit kriminal që po blinte votat dhe kanoste votuesit dibranë ishte dhe emri i Arben Keshit.

Për Keshin në kallëzimin e PD, shkruhej se ishte drejtor i Qendrës së Mbyllur për të Huajt e parregullt në Republikën e Shqipërisë dhe se kryente veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zonën e Maqellarës.

Pra Keshi nuk ka qenë polic në kohën e zgjedhjeve në Dibër. Por fakt është gjithashtu se pas këtyre zgjedhjeve, ai rikthehet në polici. Siç i thotë deputetit: “Pas tre vjetëve që” ngeli rrugëve. /Realstory.al



Skip to toolbar