Vetëm pak minuta para protestës së nëntë të opozitës, Ilir Meta ka bërë thirrje që protesta të jetë paqësore, sikur të ishte në garë për meritat e një proteste të qetë me kreun e PD, Lulzim Basha, i cili që më herët kishte deklaruar se protesta e sotme do të jetë paqësore. Madje, kreu i opozitës kishte njoftuar se sot do të ishte në protestë bashkë me gruan dhe dy vajzat. Por, Presidenti Meta theksoi vetëm pak minuta para protestës rëndësinë që protesta e opozitës të jetë tërësisht paqësore, larg çdo akti dhune, si dhe u bëri thirrje protestuesve të vetëpërmbahen dhe të përqendrohen në kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Të njëjtën gjë Meta bëri edhe më 8 qershor, duke njoftuar dekretin për anulimin e zgjedhjeve, kur protesta ishte lajmëruar nga opozita paqësore. Por situata u përshkallëzua me dekretin për anulimin e zgjedhjeve, duke sjellë përplasje të forta në qytete të vendit, pikërisht në ato që drejtohen nga opozita, ku punonjësit e bashkive kanë tentuar të shkatërrojnë KZAZ-të me dhunë dhe janë përplasur me forcat e policisë.