Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të martën në mesditë në fshatin Babicë të Vlorës ku burri ka masakruar gruan me sëpatë dhe thikë.
Viktima është 44 vjeçe dhe quhet Laureta Sulo. Mësohet se burri Lavdosh Sulo 56 vjeç, pasi e ka goditur gruan disa herë me sëpatë në kokë dhe pjesët e tjera të trupit e ka qëlluar me thikë në fyt duke e lënë të vdekur në vend.
Më pas ka qenë vetë burri-vrasës ai që ka njoftuar policinë. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka vënë në pranga autorin e krimit. Mësohet se vrasja ka ndodhur për shkak të xhelozisë. Më herët, në vitin 2012, Lavdosh Sulo rezulton se ka qenë proceduar për dhunë në familje.
Një javë më parë policia arrestoi kunatin e viktimës, pasi ka tentuar të vrasë kushëririn e tij me armë gjahu, pasi dyshonte se ai kishte lidhje jashtëmartesore me 44 vjeçaren. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Alikokë” Babicë e Madhe, ndërsa kunati i viktimës A. Sulo., 44 vjeç është arrestuar nga policia për “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”.