Një sulm me dron i forcave ukrainase shkaktoi zjarr në një depo nafte në Rostov të Rusisë, ndërsa Kievi u përpoq të sulmonte edhe rajonin Kirov, rreth 1 mijë e 500 kilometra në verilindje të kufirit mes Ukrainës dhe Rusisë, thanë autoritetet e rajonit jugor rus.
“Nuk ka viktima. Zjarrfikësit po shuajnë zjarrin”, tha Guvernatori i Rostovit, Vasily Golubev, në platformën Telegram.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj ajrore shkatërruan katër dronë mbi rajon gjatë natës, por pa përmendur sulmin në depo.
Më herët, kanali ‘Baza’ në Telegram, i afërt me shërbimet ruse të sigurisë, tha se tre cisterna të depos së naftës në Kamenski u dogjën pas rënies së dy dronëve në atë zonë.
Agjencia e lajmeve Reuters konfirmoi vend-ndodhjen e njërës nga pamjet e publikuara në rrjete sociale, ku shihej tymi dhe zjarri, pak momente pas sulmit.
Ukraina nuk ka bërë ndonjë koment për sulmin. Një depo karburanti në Kamenski ishte sulmuar edhe në fillim të gushtit.
Sulmi i së mërkurës vjen ndërsa zjarri në cisternat e një depoje nafte në Proletars të rajonit të Rostovit po vazhdonte, rreth 10 ditë pas një sulmi ukrainas.
Në një sulm tjetër po të mërkurën, dronët goditën një depo të produkteve të naftës në qytetin Kotelinç në rajonin Kirov të Rusisë, tha guvernatori Alexander Sokolov.
Ai shtoi se sulmi në depo nuk shkaktoi viktima apo zjarre. Zoti Sokolov tha se dy dronë u shkatërruan, ndërsa tre ranë pranë depos dhe shkaktuan zjarrin që u shua para se të arrinte tek depoja e karburantit.
Alexander Gusev, guvernatori i Voronezhit, rajonit rus në kufi me Ukrainën, tha se mbetjet e një droni ukrainas shkaktuan një zjarr afër disa “objekteve shpërthyese” por se nuk pati ndonjë shpërthim.
Zjarri u shua, tha zoti Gusev në Telegram ndërsa shtoi se banorët po kthehen në shtëpitë e tyre në dy vendbanime të evakuuara.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se tetë dronë sulmues mbi rajonin e Voronezhit u shkatërruan, por pa dhënë më shumë hollësi. Në shumë raste zyrtarët rusë nuk njoftojnë mbi shkallën e plotë të dëmeve pas sulmeve ukraianse.
Të dyja palët mohojnë të kenë vënë në shënjestër civilët në luftën 30 mujore që nisi pas sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj fqinjit të saj më të vogël. Kievi thotë se sulmet e tij ajrore synojnë të shkatërrojnë infrastrukturën energjisë, transportit dhe atë ushtarake të Rusisë, jetike për operacionin rus kundër Ukrainës. /voa