Ambasada SHBA është shprehur e prerë se më 30 qershor ka zgjedhje lokale në Shqipëri, por ka paralajmëruar për akte dhune të mundshme, sidomos pranë KZAZ-ve, qendra të votimit dhe qendrave të numërimit të votave.
Në një njoftim për qytetarët amerikanë në Shqipëri, ambasada e SHBA në Tiranë shprehet se Zgjedhjet lokale në Shqipëri janë planifikuar të zhvillohen më 30 qershor 2019. “Votimi është planifikuar nga ora 7:00 deri në orën 7:00. Zgjedhjet do të mbahen në çdo bashki. Numërimi do të pasojë në qendrat e numërimit dhe mund të zgjasë deri në disa ditë në disa bashki. Incidentet e dhunshme të lokalizuara që janë identifikuar kohëve të fundit, kanë vënë në shënjestër zyrtarët e zgjedhjeve dhe materialet e votimit, duke rritur perspektivën e dhunës shtesë ose shqetësimeve të tjera në ditën e zgjedhjeve, në ditët që i paraprijnë 30 qershorit dhe gjatë numërimit të votave në qendrat e numërimit”, paralajmëron ambasada e SHBA.
Në paralajmërimin e saj, ambasada e SHBA i bën thirrje qytetarëve amerikanë të qëndrojnë vigjilentë rreth vendeve të votimit, qendrave të numërimit dhe zyrave zgjedhore. “Shmangni çdo zonë ku ka shenja të dhunës së afërt ose të vazhdueshme. Jini të vetëdijshëm për atë që ju rrethon. Monitoroni mediat lokale për përditësime dhe mbani një profil të ulët”, janë disa nga këshillat e ambasadës së SHBA.