Çupi: Të paktën të guxojnë aq sa guxoi ambasadori Adrian Neritani

Më të fundit


Nga Frrok Çupi

Ajo çfarë guxoi ambasadori atëherë, më erdhi prapë në ekranin e Reuters, tani pas 16 vjetësh.  Ai ishte ambasador i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara kur Gërdeci shpërtheu në tragjedi të përbotshme, 15 mars 2008. Bota u tmerrua me vrasjen makabër të 26 njerëzve, mes të cilëve katër fëmijë. Gazeta ‘New York Times’ shkroi një artikull të plotë me titull “Supplier Under Scrunity on Arms for Afganistan’. Vetëm ky shkaktoi debat në Parlament. Kryeministri Berisha e hodhi poshtë artikullin, duke e quajtur ‘letër higjienike’.

Edhe ambasadori i Shqipërisë në OKB, Adrian Neritani, vuri ‘veton’. Ai deklaroi para përfaqësuesve të botës në Kombet e Bashkuara dhe para mediave se ‘asgjë nuk kishte ndodhur’.

“Koha do të provojë se të gjitha faktet në artikull janë të pabaza”, deklaroi ambasadori i Shqipërisë. E transmetoi Reuters, AP, DPA, ANSA, AFP.

Sigurisht, bota nuk dyshoi se shpërthimi kishte ndodhur dhe se 26 njerëz kishin vdekur në zjarrin e predhave. Bota nuk dyshoi edhe se vetëm ‘dy njerëz, dmth., ambasadori dhe kryeministri’ qenkan normalë; ndërsa të gjithë të tjerët ‘të fantaksur, që u duket sikur shpërtheu fabrika e municioneve e vrau njerëz’, por në fakt jo. I bie që këta të fantaksur të jenë 3, 4, 6, deri 10 milionë  shqiptarë, përveç dy vetëve.

Me gjithë këtë goditje kundër kombit të vet, ambasadori kreu një ushtrim nervash, që sot do të quhej edhe ‘i duhuri’. Ambasadori Neritani, ndoshta është i rrallë që guxoi të vërë vulën e tij para njerëzimit, edhe pse vulën e të keqes, kur deklaron se ‘jam unë garant që në Shqipëri nuk ka ndodhur shpërthimi i Gërdecit’.

Do të ishte e ‘lavdërueshme për secilin që kryen ligësi, që bën të zezat kundër vendit të vet, që gënjen në dritë të diellit, që garanton se e keqja qenka e mirë për vendin…, të gjitha këtyre t’u vërë vulën e tij. Se vjen një ditë dhe e keqja mbetet pa autor. Ja për shembull si me rastin e Gërdecit. Aktin e rëndë e të tmerrshëm e kreu familja e kryeministrit Berisha, ministrat e kryeministrit, agjentët kundër vendit tonë si Fazlliç, interesa monetare të familjes kryeministrore, etj… Por e tëra, për vite të tërë, u zhyt nën tokën shtetërore qeveritare. Drejtësia u bë si ‘kulaç’ nën të ndenjurat e qeverisë dhe priti të hante thërrime aty poshtë.

Ambasadori doli para botës dhe tha ‘shqiptarët të njohin mua si autor që deklaroj se vetëm unë e di se nuk ka Gërdec dhe të gjitha ata janë qorra’. Në fund të fundit, një ditë do të duhej autorësia.

Sepse po ndodhin përditë poshtërsi kundër stabilitetit e prosperitetit të vendit; po ndodh që e sulmojnë vendin dhe fshehin dorën. Kush ishte autori? Nesër nuk ka asnjë emër…. Të paktën ambasadori në UN vuri vulën e tha ‘e bëra unë’.

Kjo do të kërkohej nga çdo kopuk që hedh baltë ose edhe benzinë mbi vendin tonë. Po bëhen gati prapë për të djegur goma apo vënë bomba në rrugët e vendit, në Parlament, në Bashki, në SPAK, në gjykatë…, por cili është autori?.

Po ndodh që të bëjnë gjithçka për t’i vënë maskë të shëmtuar atdheut tonë që tash bën pjesë mes më të mirëve në Europë. Po e quajnë narko-shtet. Po sulmojnë turizmin dhe fytyrën e vendit. U lidhën me grekët e Belerit për të penguar integrimin; por nuk u eci.

Po ndodh shumë shpesh që ‘krimi’ ka mbetur pa autor.  Këtu ndodhi që Berisha i PD pat lëshuar thirrje ‘të djegim mandatet’; i dogjën kinse po shkatërrojnë Parlamentin. Pastaj tha nuk isha unë. Tani po bën thirrje për ‘luftë, jemi në luftë’.

“Të shkatërrojmë stabilitetin, ndryshe nuk bëhet!”, deklarojnë dhe fshihen pas Partisë.

Të tjerë fshihen pas medias dhe ‘demokracisë’. Të tjerë pas kishës e xhamisë.

‘Intelektualët’ po deklarojnë se ‘nuk bëhet ky vend’, ‘po na dhunon Perëndimi’. Madje kërkojnë që shteti të bjerë copë- copë përtokë e njerëzit të hanë njëri tjetrin si në ’97. Po u bë, asnjëri nuk do të thotë: ‘E bëra unë’.

Të paktën të venë në Noteri e të shënojnë emrin. Mbase do të mjaftonte, të paktën aq sa mjaftoi deklarata e ambasadorit në mars 2008.



Skip to toolbar