Kolegji Zgjedhor “shpall” nul dekretin e Metës… të 13 tetorit

AKTUALITET


Pak orë pas dekretit të Presidentit Meta, me të cilin shpalli datën e zgjedhjeve vendore më 13 tetor, Kolegji Zgjedhor ka zbardhur vendimin e plotë për rastin e rrëzimit të kërkesës së bërë nga ana e PUK, ku nxjerr nul aktin e Metës për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor. Por lajmi nuk është ky. Lajmi është se me arsyetimin e vendimit, Kolegji Zgjedhor nxjerr nul edhe dekretin e fundit të Metës, atë për zgjedhjet e 13 tetorit, duke legjitimuar kështu përfundimisht 30 qershorin si datë e zgjedhjeve vendore.

Por le t’i marrim me radhë argumentet e përdorura nga Kolegji Zgjedhor.

Fillimisht, me arsyetimin e vet, Kolegji Zgjedhor i ka dhënë përgjigje si opozitës, ashtu edhe Metës, të cilët pretendojnë se dekreti i Presidentit mund të atakohet vetëm në Gjykatën Kushtetuese. Kolegji Zgjedhor është bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2017, i cili ka shpallur moskompetencën për një rast të ngjashëm, ku deklaron se dekreti i Presidentit të Republikës është një akt administrativ individual, pasi ka për objekt vetëm caktimin e datës së zgjedhjeve dhe që përputhja apo jo e dekretit të Presidentit me Kodin Zgjedhor nuk është në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, por në juridiksionin e Kolegjit Zgjedhor dhe si i tillë nuk mund të shqyrtohet nga Kushtetuesja.

Për këtë vendim, Meta dhe opozita ishin shprehur më herët se ishte marrë vetëm nga tre gjyqtarë në fund të mandatit dhe jo pesë që duhen, por Kolegji Zgjedhor shprehet se është e vërtetë se ky vendim është i kolegjit në Kushtetuese, të përbërë nga tre gjyqtarë dhe jo i mbledhjes së gjyqtarëve. Por nga ana tjetër, Kolegji Zgjedhor mban parasysh se sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese, ky lloj vendimi, pra i shpalljes së moskompetencës, merret pikërisht nga Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, dhe jo nga mbledhja e gjyqtarëve.

Pra me këtë argumentim, Kolegji Zgjedhor ka vendosur të trajtojë kërkesën e PUK dhe respektivisht dekretin e 10 qershorit për anulimin e e zgjedhjeve më 30 qershor. Duke iu referuar arsyetimit të gjykatës, në faqen 15 të këtij vendimi kolegji shprehet se çmon të bazuar qëndrimin e KQZ-së se dekretimi duhet bërë duke respektuar periudhën zgjedhore dhe se dekretimi duhet bërë jo më vonë se 9 muaj nga data e zgjedhjeve. Pra, sipas Kolegjit Zgjedhor, Presidenti i Republikës ka kompetencë të kufizuar në kohë dhe tej kësaj kohe, ai nuk ka më asnjë kompetencë për të vepruar në këtë drejtim. Pra, as mund të ndryshojë dhe as mund të shfuqizojë datën e zgjedhjeve. Të dyja këto parashikime të Kodit Zgjedhor nuk janë respektuar në nxjerrjen e dekretit të dytë, për rrjedhojë, janë momente që e bëjnë dekretin e dytë të Presidentit të Republikës të jetë në shkelje të hapur dhe në mënyrë flagrante me dispozitat ligjore. “Vetëm ligji mund ta lejojë që Presidenti të ndryshojë apo të shfuqizojë datën e zgjedhjeve, sikurse ka ndodhur në vitin 2007, kur Kuvendi u detyrua të ndryshojë Kodin Zgjedhor për të mundësuar këtë”, sqaron Kolegji Zgjedhor në vendimin e tij. Më tej, Kolegji shton se me veprimet që ka kryer Presidenti, nëpërmjet anulimit të datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të 30 qershorit 2019, në mungesë të kompetencës ligjore dhe tej afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor, ka marrë kompetencat e një organi tjetër, konkretisht ka marrë kompetencat e Kuvendit të Shqipërisë.

Pra, Kolegji Zgjedhor ka nxjerrë përfundimisht nul dekretin e Metës, por me këtë argumentim ka nxjerrë nul edhe dekretin e dytë që caktoi datën e zgjedhjeve më 13 tetor, veprim i kryer vetëm pak orë para se të zbardhej vendimi për dekretin e anulimit të 30 qershorit. Sipas kësaj analize të Kolegjit rezulton se edhe dekretin për 13 tetorin, Meta e ka nxjerrë jashtë afateve ligjore të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor, ndërsa i shtohet edhe argumenti tjetër ligjor, që është afati i të zgjedhurve vendorë për të qëndruar në detyrë, ku sipas Kodit Zgjedhor është 4 vjeçar. Madje, për analogji, Kolegji Zgjedhor sjell rastin e kryeprokurorit, ku në mbarim të mandatit ai zëvendësohet. “Nëpërmjet anulimit të datës së zgjedhjeve bëhet edhe zgjatja e mandatit të organeve të qeverisjes vendore tej afatit ligjor, e një gjë e tillë është e papranueshme, pasi bie ndesh me nenin 1të Kushtetutës. “Sipas normave të së drejtës objektive, për një kategori funksionarësh të lartë (për shembull Prokurori i përgjithshëm, KLP dhe KLGJ), Kushtetuta dhe ligji respektiv parashikon afate kohore për fillimin e procedurave për zëvendësimin e tyre përpara përfundimit të mandatit, pikërisht për të respektuar këtë të fundit”, argumenton Kolegji Zgjedhor.

E në fund të argumenteve që çdo dekret i Presidentit për zgjedhjet jashtë afateve kohore janë nul, Kolegji Zgjedhor, me një tjetër argument shtesë legjitimon edhe më shumë datën 30 qershor për zgjedhjet vendore, ku thotë se me dekretin e anulimit, Presidenti i ka hequr të drejtën qytetarëve të zgjedhin. “Anulimi i datës së zgjedhjeve në mungesë të kompetencës ligjore dhe në shkelje të afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor bën që në fakt, shtetasve shqiptarë me të drejtë vote t’iu mohohet një e drejtë kushtetuese e parashikuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë: e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili ka rrëzuar jo vetëm kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar për t’u çregjistruar nga zgjedhjet për shkak të dekretit të Presidentit, por ka rrëzuar edhe dekretin e 10 qershorit, e rrjedhimisht, me argumentet e përdorura ka rrëzuar dekretin për datën 13 tetor, veprime për të cilat tashmë mazhoranca ka ngritur një komision hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta.



Skip to toolbar