Suedia i ka dërguar një kërkesë zyrtare për bashkëpunim Kinës lidhur me hetimin mbi dyshimet për sabotazh pas ndërprerjes së linjës së internetit. Dy kabllot – njëri i quajtur Arelion, që lidh Finlandën me Gjermaninë, dhe tjetri i quajtur C-Lion 1 që lidh Suedinë me Lituaninë – u prenë brenda 24 orëve nga njëra-tjetra më 17 dhe 18 nëntor.
Kërkesa vjen pas incidentit në detin Baltik, ku sipas të dhënave dyshohet për lidhje mes një anije kineze dhe ngjarjes. Gjithashtu, Suedia ka kërkuar që anija kineze të kthehet në ujërat suedeze për të ndihmuar në hetim. Anija aktualisht është ankoruar në ujëra ndërkombëtare në ngushticën e Kattegatit, midis Danimarkës dhe Suedisë.
“Kërkesa është dërguar për të bashkëpunuar me autoritetet suedeze në mënyrë që të krijohet qartësi mbi atë që ka ndodhur,” tha Kryeministri suedez Ulf Kristersson për gazetarët të enjten.
Të dhënat treguan se një anije kineze e llojit bulk carrier ka kaluar pranë dy kabllove të komunikimit nëntokësor rreth kohës kur çdo kabllo është raportuar se është prerë.
Të dhënat e ndjekjes treguan gjithashtu se ajo ka kaluar pranë infrastrukturave të tjera nënujore në Baltik, përfshirë katër tubacione gazi dhe nafte, një linjë energjie dhe një tjetër kabllo telekomunikimi që ishte në ndërtim. Zëdhënësi i ministrisë kineze të Jashtme, Lin Jian, tha se ai nuk ishte “në dijeni të situatës” dhe se anijet kineze “respektojnë ligjet dhe rregullat përkatëse.” /abcnews.al