Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka hedhur votën mëngjesin e së dielës në KZAZ-në nr. 32 te Liceu Artistik në Tiranë dhe tha se jo vetëm votoi por edhe zgjodhi pasi në fletën e votimit janë 2 kandidatë dhe mbi 30 parti.
“Siç e patë. Unë jo vetëm, që votova, por edhe zgjodha. Zgjodha se ishin dy kandidatë në fletën e votimit. Besoj se subjekte politike ka plot alternativa dhe kandidatë ka dy. Do ishte më mirë që të kishte shumë kandidatë. Sot nuk është dita ta analizojmë këtë çështje sepse ka qenë objekt i diskutimit prej shumë ditës”, tha Ruçi.
Ai bari apel për qetësi, maturi dhe vendosmëri, ndërsa tha se të hënën të gjitha partitë duhet të nisin një analizë të brendshme për përgjegjësitë e tyre.
“Sot është dita të bëjmë apel për qetësi dhe vendosmëri. Pjesëmarrja kush të dëshirojë të marrë pjesë. Duhet respektuar edhe ai që voton dhe ai që s’voton. Me vendosmëri që të vazhdojmë reformat në mënyrë që në tetor të hapen negociatat. Klasa politike shqiptare që ditën e hënë si ata që vendosën me verdiktin e tyre që të mos marrin pjesë në zgjedhje të fillojnë të bëjnë analizën e tyre. Si fituesit që nuk duhet ta quajnë vetën triumfator, por të bëjnë analizën e tyre për përgjegjësinë që kanë para popullit”, tha Ruçi i cili i pyetur nga gazetarët nëse Shqipëria rrezikon të instalojë sërish diktaturën tha: “Nuk ka burrë nëne të vendosë diktaturën në Shqipëri”.