Video e publikuar nga Kryeministri Rama mëngjesin e kësaj të diele duket si provokim për PD-në, duke u nisur nga fakti se gjithë fushata e opozitës gjatë 5 muajve të fundit ishte e bazuar tek përgjimet dhe tek personazhi i Niçes.
Rama ka hedhur në instagram një video të Zahos që ushqen lepurin. Në një moment Zaho i thërret të atit “O babush, shikoje Niçen”.
I vogli shfaqet duke luajtur me një lepur të cilit i ka vënë emrin Niçe. Me siguri të sugjeruar nga Rama.
Niçja është pseudonimi i Altin Avdylajt një prej personave të arrestuar nga Policia e Shtetit gjatë operacionit “Vol-vo 4”. Ai doli në përgjimet e publikuara nga BILD teksa bisedonte me kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Bëhet fjalë për një përgjim të datës 20 shkurt të vitit 2017. Në këto përgjime dëgjojet Vangjush Dako, teksa komunikon me Altin Avdylin (Niçja), dhe i premton se do t’i zgjidhë diçka, prandaj nuk duhet të merakoset.
Biseda mes Dakos dhe Avdylit zhvillohet me tone mjaft të përzemërta. Në dy episodet e përgjimeve të publikuara biseda mësohet se ka ndodhur para dhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017.
Duke qenë se biseda kryhet dy ditë pas zgjedhjeve, krijohen dyshime se bëhej fjalë pikërisht për to. Përgjimet me Niçen dhe të tjera biseda të eksponentëve të PS-së me familjen Avdylaj kanë qenë shtylla e akuzave të PD-së dhe e protestave të saj kundër qeverisë dhe zhvillimit të zgjedhjeve.