Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri është marrë në mbrojtje nga Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit, pasi është kërcënuar me jetë. Gjithashtu janë vendosur masa shtesë edhe për familjen e tij dhe në banesë.
Sipas të dhënave paraprake, Zgurin e ka kanosur të enjten në mbrëmje një person në Facebook me inicialet E. Pjetrini nga Shkodra duke i thënë “Do të vras ty dhe familjen”, ndërkohë që policia nuk ka bërë me dije nëse janë bërë dhe kërcënime të tjera. Pas informacionit, policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për të vendosur para drejtësisë personin që kërcënoi kryetarin e KQZ-së.
Të premten në KQZ kanë shkuar drejtuesit e lartë të Gardës e Policisë, të cilët kanë marrë dëshminë e deklaratat e Zgurit. Burime policore thonë se kërcënimet kanë ndodhur pas mbledhjes së KQZ-së ku pati debat të ashpër dhe palët u përplasën për hapjen e kutive të 30 qershorit. Kërcënimet kanë qenë në adresë të tij dhe të familjes. Për shkak të këtyre kërcënimeve serioze Zguri është marrë në mbrojtje nga një numër më i lartë efektivesh nga Garda, pasi të gjithë anëtarët e KQZ janë në mbrojtje nga Garda e Republikës.
Në datën 12 qershor, katër anëtarët e KQZ-së nga shumica u morën mbrojtje pas kërkesës që vetë ata i bënë Ministrisë së Brendshme pas situatës kritikave, pasi injoruan dekretin e Presidentit. Prej asaj date, Garda i ofroi mbrojtje edhe kryetarit të KQZ, Klement Zguri i cili, edhe pse nuk e kishte kërkuar, e pranoi.
Një ditë më herët, Zguri kërkoi hetim administrativ për mospërputhjen e shifrave të pjesëmarrjes në zgjedhjet e 30 qershorit. Diskutimi për nisjen e një procesi të tillë është shoqëruar me detabe, pasi Zguri në moment të fundit ka kërkuar hapjen e kutive të votimit, për të numëruar edhe një herë votat për të nxjerrë shifra të sakta të pjesëmarrjes. Kjo kërkesë u quajt nga nënkryetari Denar Biba si një mënyrë për të hedhur në erë procesin zgjedhor të 30 qershorit. Biba i tha Zgurit se ndryshove mendim në moment të fundit pasi të erdhi një SMS nga Gaz Bardhi, pasi kjo nuk ishte ajo që paraqite në fillim.