Meta zbutet me amerikanët: Intrigat nuk përçajnë aleancën me SHBA

AKTUALITET


Pas sulmeve të hapura kundër ambasadës amerikane në Tiranë, presidenti Ilir Meta e nisi zbutjen që të enjten me letrën dërguar Trump, ndërsa të premten ka takuar kongresmenin amerikan Eliot Engel dhe ka deklaruar se “intrigat nuk përçajnë dot aleancën mes shqiptarëve dhe SHBA-së”.

Një deklaratë e tillë bërë nga presidenti Meta, i cili vetëm disa ditë më herët, pikërisht të martën në konferencë për shtyp sulmoi hapur ndërkombëtarët veçanërisht ambasadën e SHBA-së duke thënë se bashkë me Edi Ramën kanë krijuar një juntë, një grup të strukturuar që po punon për “Deep State”, ose për një shtet paralel në dëm të demokracisë dhe të ardhmes europianë të Shqipërisë.

Por të premten Presidenti Meta ndryshon komplet retorikë drejtuar Amerikës.

“Nuk ka forcë në botë, që të vendosë në diskutim aleancën shqiptaro-amerikane! 

U përpoq komunizmi për pesëdhjetë vite të shuante çdo ndjenjë proamerikane, por ja që nuk ia arriti dot për shkak se historia e dy vendeve dhe kombeve tona është shumë e thellë dhe është e parrezikuar, pavarësisht se intrigat asnjëherë nuk do të përfundojnë për t’i përçarë shqiptarët në emër gjoja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”, është shprehur Meta në ceremoninë  e vlerësimit me titullin Qytetar Nderi i Tropojës të Kongresmenit Engel.

Pas kësaj ceremonie, Presidenti Meta së bashku me Kongresmenin Engel vendosën në shenjë respekti një buqetë me lule te shtatorja e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari në sheshin kryesor të Bajram Currit, në prani të personaliteteve të ftuar dhe drejtuesve të pushtetit vendor.

Më herët gjatë ditës ka reaguar Rudina Hajdari e cila i çoi një mesazh Presidentit: “Zoti President dhe zoti Besnik Dushaj, kur të jeni sot (e premte) para bustit të tim eti në Tropojë, duke u hequr si pro-Amerikanë të thekur, mos harroni t’i thoni tim eti që fëmijët e tu nuk janë këtu se kështu urdhëroi Partia. Mua më ndaluat të vij në Tropojë, por në Kosovë jo. Rrugë të mbarë”, shkruan Rudina Hajdari.



Skip to toolbar