Polonia kritikon BE: Të jepet datë për integrimin e Shqipërisë

AKTUALITET


Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, gjatë fjalës së mbajtur në samitin e Poznan,  kritikoi Bashkimin Evropian për shtyrjen e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe i bëri thirrje bllokut që t’u ofrojë vendeve të Ballkanit një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në BE.

Andrzej Duda tha se si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë reforma të vështira dhe tani BE duhet të japë një datë konkrete për integrimin e tyre. Ai theksoi se Evropa kurrë nuk do të marrë frymë lirisht pa integrimin e Ballkanit Perëndimor.

“Polonia nuk e pranon një situatë ku vendet e Ballkanit Perëndimor marrin pjesë në një garë ku finishi është i padukshëm. Jemi të detyruar të japim një datë të qartë në vend të deklaratave verbale. Ne ia kemi borxh këtë vendeve të Europës Juglindore. Ne nuk duhet të humbim kohë. Pa integrimin e Ballkanit Perëndimor, Europa nuk do të marrë frymë lirisht. Angazhimi i Polonisë ndaj Procesit të Berlinit vjen nga bindja e thellë e saj për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për stabilitetin dhe zhvillimin e Europës. Ballkani është një pjesë integrale e Europës duke pasur parasysh pozicionin e tij gjeografik, kulturor dhe historik. Pa integrimin e Ballkanit Perëndimor, së bashku me traditat e bukura dhe kulturat e ndryshme, Europa nuk do të marrë frymë lirisht. Jam i vetëdijshëm për fjalët që po them, duke qenë president i një vendi që përdor fondet e BE-së dhe që do të  jetë i detyruar të ndajë këto burime me anëtarët e rinj në të ardhmen”, tha Presidenti i Polonisë.

Ai theksoi se vendi i tij mbështet zgjerimin e BE dhe thotë se kjo është mënyra e duhur për të garantuar stabilitet dhe zhvillim në të gjithë Europën.

Duda kujton përpjekjet e Polonisë për t’iu bashkuar BE që pas rrëzimit të sistemit komunist në vitet 1990 dhe thotë se këto përpjekje e shndërruan dhe e zhvilluan shtetin e tij. Ai thekson se BE nuk duhet ta shohë me skepticizëm zgjerimin dhe se “kjo nuk është Europa që duam”.

“Polonia, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një vend që mbështet zgjerimin e mëtejshëm të Unionit, një vend që mbështet solidaritetin dhe hapjen e BE, e jo Europën e dyerve të mbyllura, e të mekanizmave që mbështesin vetëm interesa të caktuara. Nuk është kjo Europa që ne duam!

Sipas Presidentit të Bashkimit Europian, ne si komunitet duhet të japim shembull që projekti Europian është i gjallë, që është tërheqës, që ka një të ardhme të vërtetë dhe që ne jemi të gatshëm të pranojmë vende të tjera anëtare. Kjo duhet të jetë edhe ambicia e autoriteteve të reja europiane, çështja e zgjerimit duhet të përfshihet në mënyrë të pandashme nga vizioni që përcakton të ardhmen e përbashkët të Europës sonë. Për fat të keq, jo të gjithë partnerët tanë europianë e shohin në këtë formë. Jam vërtet i keqardhur dhe i zhgënjyer rreth vendimit për të shtyrë përsëri hapjen e negociatave të anëtarësimit me dy vende kandidate, në këtë rast Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. I kujtoj Komisionit Europian që ai vetë ka vlerësuar pozitivisht reformat e ndërmarra në të dy këto vende dhe ai vetë ka rekomanduar hapjen e negociatave. Të dy vendet kanë përmbushur kushtet e tyre, përfshi një hap radikal si ndryshimi i emrit të vetë shtetit, në rastin e Maqedonisë së Veriut” deklaroi ai.

Muajin e kaluar, Këshilli i Europës vendosi, (pavarësisht vlerësimit për përmbushjen e kushteve) që të shtyjë për në tetor çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të hezitimeve të disa vendeve, përfshirë Francën dhe Holandën.



Skip to toolbar