Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj e cilëson marrëzi sulmin e presidentit Ilir Meta ndaj ndërkombëtarëve. Brokaj thotë se Meta po sillet me ndërkombëtarët më keq se Berisha në 1996.
“Për mendimin tim në aspektin politik dhe diplomatik sulmet e presidentit Ilir Meta në adresë të ndërkombëtarëve është skandali më i madh që janë bërë në këto 30 vjet pluralizëm. Ka bërë edhe Saliu që nuk ka pranuar të takonte ndihmës sekretarin e Shtetit të SHBA, të cilin e ka pasur edhe mbështetës në zgjedhjet e ’96. Më pas kur gjakosi shqiptarët, natyrisht ai i vuri frenë Saliut. Ndërkohë, ku e di unë edhe kur ka ardhur Erdogani, Saliu nuk i vajti në sallën e Parlamentit. Pra, skandale të tilla, kjo pjesë e politikës shqiptare që ka pozicionin opozitë sot, i ka bërë skandale të tilla. Por jo në përmasën që konkretisht tani së fundmi ka bërë Ilir Meta ndaj ndërkombëtarëve. Shtrohet një pyetje shumë e thjeshtë për ne që kemi jetuar edhe pas ’90. Po si do të kishim shpëtuar ne nga konflikti që nga ’91, kur këtë që bëjnë opozitën sot kanë bërë vrasje në Shqipëri. Kush e qetësoi Shqipërinë në situata shumë të rënda që kaloi si vitet ’96, ’97, ’98? Ishin pikërisht ndërkombëtarët që na ndihmuan dhe qetësuan situatën. Realisht politikanët shqiptarë nuk lidhin dot brekët e tyre dhe e kanë bërë Shqipërinë copë-copë dhe për çudi na dalin që ndërkombëtarët janë fajtorë. Nuk mund të hedhësh kurrë akuza ndaj ndërkombëtarëve, aq më tepër ambasadoreve, pasi këtë të fundit janë thjeshtë zëdhënës dhe informues të shtetit që përfaqësojnë. Askush nga ambasadorët nuk flet në kokën e vetë se kontrollohet nga qeveria e tij që nga nesër. Është e pamundur që një ambasador të bëjë një gabim të dytë, pasi nuk e lë njeri. Prandaj, për mua qëndrimet e Metës karshi ndërkombëtarëve kanë qenë të papranueshme. Unë jam nga ata që bëj pjesë tek sovranistët dhe e pëlqej shtetin me sovranitet të plotë. Unë ku ta gjeja që Iliri t’i përkiste klasës sovraniste, por për fat të keq nuk është kështu. Është absurde që të godasë aleatët, pa të cilët ne si vend nuk jetojmë as 5 minuta. Kjo që po bën Meta nuk është politikë, por vetëm marrëzi”, është shprehur Brokaj që për një periudhë kohe ka qenë pjesë e LSI-së.
Ai gjithashtu e cilëson vendim të gabuar dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe e shikon këtë veprim si një lojë të egos së tij për të zbutur Ramën.
“Pra, Meta është i detyruar që të zbatojë në frymë dhe në gërmë Kushtetutën dhe jo lojën politike të zbut unë Lulzim Bashën me Edi Ramën apo Ramën me Opingën e Sheros. Kështu që, arsyetimi nuk është shumë i ndërlikuar sikundër serviret. Për mua arsyetimin dhe çështjen e ndërlikojnë artificialisht. Kjo pasi arsyetimi është shumë i thjeshtë. E drejta për të votuar përcaktohet nga Kushtetuta, afati përcaktohet nga Kushtetuta dhe të tjetër, duke filluar nga Presidenti i Republikës duhet t’i shërbejnë të drejtës dhe afatit. Meta shkeli Kushtetutën me çdekretimin e datës së zgjedhjeve. Dhe këtu marrin fund dilemat”, është shprehur Brokaj.
I pyetur nëse politikanët shqiptarë kanë frikë nga SPAK, Brokaj thotë me bindje se kjo është arsyeja kryesore e situatës konfliktuale politike dhe sulmeve që i bëhen reformës në drejtësi.
“Pa diskutim që gjithë këto zhvillimet e këtyre muajve të fundit, po ta shikosh, është në raport me intensitetin e veprimit dhe organizimit të vetingut dhe të SPAK. Sa më afër vjen SPAK, aq më në rritje janë këto situatat konfliktuale, nervoze të opozitarëve. Unë them që duhet të ketë ndëshkime. Nëse nuk do të ketë ndëshkim për politikanët, është krejtësisht i kotë vetingu në drejtësi. Ndaj, nëse nuk bëhet ndëshkimi, apo edhe arrestimi e sekuestrimi i pasurive të tyre, nuk ka për të patur drejtësi. Këdo që të vini kryeministër, nëse i lini duart e lira, ai do të fillojë që me prokurorinë që prezanton akuzën në emër të shtetit, e pastaj do të shkojë deri në gjykatë për ta kapur. Ndaj, ndëshkimi i politikës është po aq i rëndësishëm dhe kryesor, saç është edhe vetingu i drejtësisë”, është shprehur Brokaj.