1 mijë euro ryshfet për patentat, 23 të arrestuar në Prishtinë

AKTUALITET


Policia e Kosovës ka arrestuar sot 23 persona, të akuzuar për korrupsion me patentat. Mediat e Kosovës raportojnë se të arrestuarit janë zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës. Zyrtarja më e lartë e arrestuar në këtë rast është drejtoresha e departamentit për patentat, Filiz Krasniqi.

Arrestimi i tyre është bërë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Dyshohet se të arrestuarit u kanë mundësuar personave të interesuar që të pajisen me patentë shofer të kategorive të ndryshme pa kaluar nëpër testet e nevojshme, kundrejt parave nga 400 – 1000 €.

 “Sot, më 05.07.2019, është realizuar operacioni policor i fokusuar në këto lokacione: Ministria e Infrastrukturës-Departamenti për Patentë Shofer, një auto-shkollë në Fushë Kosovë dhe një ordinancë në Fushë Kosovë. Dyshohet se të dyshuarit u kanë mundësuar personave të interesuar që të pajisen me patentë shofer të kategorive të ndryshme pa kaluar nëpër testet e nevojshme, në kundërvlerë të parave varësisht prej kategorisë së patentë shoferit (400 – 1000 euro)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Nga 23 të arrestuarit, 16 janë zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës në Departamentin për Patentë Shoferë, 3 mjekë, 1 psikolog i një ordinance, 1 menaxher dhe 2 bashkëpronarë të një auto-shkolle.



Skip to toolbar