Protesta e dhjetë, dy ofertat dhe dy “fitoret” e Bashës

#NËRADAR


Protesta e së hënës e Bashës nuk solli asgjë të re. Nuk kishte asnjë ndryshim me të kaluarat përveç faktit se ishte protestë e sforcuar. Militantët e PD-së pritën gjer sa të shuhej dhe rrezja e fundit e diellit që të dilnin për shëtitje në fresk. Protesta ishte thirrur në orën 20.00, mezi filloi në orën 21.00 dhe Basha priti që të vinte dhe protestuesi i fundit që të plotësonte 85% e famshëm që “braktisi” Ramën, sipas tij.

Pamë një Bashë të braktisur, i cili në vend të bashkëpunëtorëve, në krah kishte vajza të reja. Nuk pamë asnjë figurë nga PD. Cila është qeveria në hije e opozitës? Me kë do ta sjellë ndryshimin Basha?

Mbajti një fjalim që zgjati 26 minuta. Një fjalim ulëritës, kaotik, përsëritës (fiks si gjendja në PD), me akuza të vjetra dhe me po të njejtën ofertë: Të rezistojmë. Të rrëzojmë Ramën me betejë!!

Pra, Basha nuk kuptoi asgjë nga 9 protestat e kaluara. Nuk kuptoi se qeveria nuk rrëzohet me protestë, por me votë dhe pavarësisht qëndresës dhe thirrjeve të ngjirura të Bashës, shqiptarët e thanë fjalën e tyre me votë.

Basha mbrëmë, më shumë se kurrë në shumë fjali ngjasonte me paraardhësin e tij, Berishën, me një retorikë të vjetëruar, me akuza përsëritëse, ku këtë herë përveç sulmit ndaj Ramës, Basha sulmoi mediat dhe biznesmenët, ndërsa u bëri karshillëk ndërkombëtarëve.

“Shpëtimi nuk do të na vijë nga jashtë”, tha Basha, si për të thënë se PD do të vazhdojë në të sajën, pavarësisht thirrjeve dhe këshillave të të huajve, që ajo të futet në rrugën institucionale. Por krejt në të kundërt është duke ecur kreu i PD-së, i cili nuk la pa përmendur dhe përgjimet e BILD. Por asnjë fjalë për faktin se ato përgjime i kishte në dorë që para dy vitesh. Asnjë fjalë për pazarin e bërë për mbajtjen e përgjimeve 2 vite në sirtar.

Dy ishin propozimet e Bashës mbrëmë: Reformë zgjedhore dhe partiake, pa thënë asgjë më shumë se kaq si dhe të rezistojmë….me pak fjalë protesta në rrugë.

Në 5 muaj protesta, dy janë gjërat e fituara nga Basha: Ilir Meta, që nga president u bë anëtar PD, si dhe 85% refuzim./Realstory.al



Skip to toolbar