SHBA-Iran drejt marrëveshjes? Trump paralajmëron hapjen e Hormuzit

BOTA


Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA-të dhe Irani janë pranë arritjes së një marrëveshjeje të rëndësishme, e cila mund t’i japë fund konfliktit disa mujor mes dy vendeve dhe të çojë në rihapjen graduale të Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më strategjike për tregtinë botërore të naftës.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump u shpreh se marrëveshja “është negociuar kryesisht”, ndërsa shtoi se detajet finale pritet të përmbyllen së shpejti mes SHBA-ve, Iranit dhe vendeve të tjera të përfshira në negociata.

“Një marrëveshje është negociuar kryesisht, në pritje të finalizimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Republikës Islamike të Iranit dhe vendeve të tjera të ndryshme,” shkroi Trump.

Sipas raportimeve nga mediat amerikane, drafti i marrëveshjes parashikon një armëpushim 60-ditor, i cili mund të zgjatet me marrëveshje të përbashkët. Gjatë kësaj periudhe, SHBA-të do të lehtësojnë disa sanksione ndaj Iranit, duke i hapur rrugë eksportit të lirë të naftës iraniane dhe zhbllokimit të disa aseteve financiare të Teheranit jashtë vendit.

Një tjetër pikë kyçe e marrëveshjes lidhet me Ngushticën e Hormuzit, e cila pritet të rihapet gradualisht për transportin detar ndërkombëtar.

Megjithatë, agjencia iraniane Fars News ka kundërshtuar deklaratat e Trump-it, duke theksuar se ngushtica do të mbetet nën kontrollin iranian dhe se nuk do të ketë “kalim të lirë” si para konfliktit.

Negociatat pritet të fokusohen edhe te programi bërthamor i Iranit, përfshirë rezervat e uraniumit të pasuruar pranë nivelit të përdorimit ushtarak. Sipas mediave amerikane, palët ende nuk kanë arritur dakordësi të plotë për këtë çështje.

Në zhvillimet diplomatike janë përfshirë edhe disa vende të rajonit. Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, përgëzoi Trumpin për “përpjekjet e jashtëzakonshme për paqe”, ndërsa konfirmoi se liderë të vendeve të Gjirit, Turqisë, Egjiptit, Jordanisë dhe Pakistanit zhvilluan bisedime telefonike me presidentin amerikan për situatën në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, Trump konfirmoi edhe një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë se diskutimet “shkuan shumë mirë”. Megjithatë, Izraeli mbetet i shqetësuar se një marrëveshje e përkohshme mund të lehtësojë presionin ndaj Iranit pa adresuar plotësisht programin e tij bërthamor.

Presidenti amerikan deklaroi më herët për Axios se shanset për arritjen e marrëveshjes janë “50 me 50”, por shtoi se vendimi final mund të merret brenda ditëve në vijim.



Skip to toolbar