Bëhet aktiv në politikë Vili Minarolli. Ish sekretari i PD-së, për marrëdhëniet me publikun dhe ish ambasador i Shqipërisë në Greqi, Vili Minarolli ka bërë një status në rrjetet sociale përmes të cilit sulmon Palmer e SHBA për etiketimin e opozitës organizatë e dhunshme, por të cilën ai e ngatërron me organizatë terroriste.
Zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matheë Palmer, në një intervistë për Zërin e Amerikës, në prag të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, paralajmëroi opozitën se në rast se do të bllokojë zgjedhjet përmes akteve të dhunës, atëherë ajo do të futej në listën e zezë dhe do të cilësohej si organizatë e dhunshm. Menjëherë SHBA do të ndërpriste çdo marrëdhënie me të.
Kjo deklaratë e Palmerit bëri që PD dhe LSI të ndryshonte strategji dhe të bënte disa hapa mbrapsht. Pas sulmeve me molotov ndaj KZAZ-ve një javë para zgjedhjeve, situata ndryshoi rrënjësisht ditën e zgjedhjeve. Në 30 qershor nuk u shënua asnjë incident.
Për këtë ka reaguar Minarrolli i distancuar prej kohësh nga politika, por që tani shfaqet me një opinion kundër Palmer.
“Para votimeve një partiake zyrtari i lartë i DASH, Palmer kërcënoi opozitën shqiptare se do të shpallej organizate terroriste nëqoftëse protesta e saj në mbrojtje të votës të lirë do kishte edhe dhunë.
Unë nuk di deri më sot të jetë shpallur në ndonjë vend të rruzullit, gjysma ose shumica e popullsisë organizatë terroriste pse proteston për të drejtën e saj të shpallur në Kushtetutë.
Unë e di se opozita shqiptare lufton për një kauz të drejtë dhe nuk ka asnjë lidhje me terrorizmin.
Unë nuk besoj se shteti i zotit Palmer ka shpallur ndonjë opozitë që kundërshton atë që është e shenjtë për çdo popull, lirinë dhe të drejtat themelore ku vota e lirë dhe e ndershme është e para.
Pastaj kaq e lehte është që një burokrat qoftë edhe i DASH të shpallësh gjysmën e një populli organizatë terroriste, duke e krahasuar me AlKaedën apo ISIS-in?
Çfarë akti terrorist mund të bënin ata njerëz që ishin helmuar disa herë me gaz helmues të ushtrisë, qoftë edhe pse mund të kishin thyer një xham?
Unë kam qenë dëshmitar kur ish opozita sulmoi me mjete të forta policinë dhe dogji me dhjetëra makina të qytetarëve dhe kolegu i zotit Palmer nuk e shpalli opozitën organizatë terroriste. Ashtu si nuk u shpall organizatë terroriste opozita në Venezuelë, apo jelekverdhët në Francë nga zoti Palmer apo kolegë të tij.
Standardet e dyfishta dhe kërcënimet nuk prezantojnë një qëndrim serioz dhe nuk ndihmojnë që edhe ne shqiptarët të ndërtojmë një shtet të lirë dhe demokratik si vendi i zotit Palmer”, shkruan Minarolli.