Kryeministri Edi Rama ka mbledhur të hënën në një takim drejtuesit e Tatimeve ku vërejti disa problematika duke nisur nga rritja e informalitetit në vend e deri tek mos lëshimi i kuponave nga bizneset.
Kryeministri në nisje të fjalës së tij tha se protestat e opozitës gjatë muajve të fundit dhe përpjekja e tyre për anti-shtet kanë ndikuar edhe në rritjen e informalitetit të vend dhe për këtë Rama kërkoi reagim frontal.
Ai prezantoi drejtoreshën e re të Tatimeve, Delina Ibrahmajn nga e cila kërkoi luftë ndaj informalitetit dhe rezultate konkrete, ndërsa çoi dhe një mesazh drejtuar bizneseve të cilët i këshilloi të mos e sprovojnë shtetin.
“Apel për të gjithë bizesnet. Kemi zgjedhur për më shumë se 6 muajsh një qasje edukuese, informuese duke mos preferuar të shkojmë tek hapi i fundit pa bërë hapat e tjerë. Kjo periudhë ka përfunduar. Dhe besoj që legjislacioni është shumë i qartë dhe masat që legjislacioni parashikon për çdo biznes që nuk punon rregullisht me fatura përkatëse janë të atilla që nuk ia vlen aventura e moslëshimit të faturës. Dihet që nëse nuk lëshon një kupon në një lokal të mbyllet lokali, në njësitë tregtare të mbyllet njësia për një periudhë që sjell një dëm të madh. Kështu që ju lutem të gjithëve mos e sprovoni administratën dhe mos e sprovoni shtetin sepse nuk do të tolerohet askush”, tha Rama.
Ai kërkoi që masat të jenë të matura nga ana e Tatimeve dhe larg çdo shfaqje agresiviteti dhe arbitrariteti ndaj biznesve.
“Hetimi tatimor nuk duhet të jetë një tufë paramilitare inspektimesh. Hetimi duhet të jetë shërbimi inteligjent i tatimeve. Do të jetë syri aty ku sheh kur të tjerët nuk shohin. Jo trupa që turret nëpër dyer sipërmarrjesh dhe që më shumë bën dëm sesa sjell rezultate. Kam besim se drejtuesja e re nën monitorimin e zëvendës kryeministrit i kanë të gjitha mundësitë për të bërë sukses. Por suksesi në këtë moment kërkon sakrificë, në kuptimin e angazhimit të çdo individi dhe çdo strukture me fokus objektiv”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli me tone të ashpra sa i përket mosfunksionimit të kasave në shumë biznese, duke ngritur pyetjen se kush duhet të mbajë përgjegjësi për 15 mijë kasa në biznese që nuk raportojnë.
“Si mundet të pranohet sot të kemi 15 mijë kasa jo raportuese në biznese që figurojnë aktive nga 1 qind e 12 mijë të tilla. Kujt i kërkohet përgjegjësia çdo ditë lidhur me këtë?”, tha Rama duke kërkuar luftë kundër çdo fenomeni korruptim brenda administratës tatimore.