Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka mbledhur në një takim prefektët, të cilët i ka paralajmëruar se nuk ka pushime në gusht dhe u ka dhënë porositë për konstituimin e organeve të reja të pushtetit vendor pas zgjedhjeve të 30 Qershorit, me qëllim që në shtator të jenë bërë gjithë ndryshimet e nevojshme. Në kushtet kur opozita ka deklaruar se përfaqësuesit që janë zgjedhur nga radhët e tyre nuk do të lirojnë zyrat, pasi nuk e njohin 30 Qershorin, Lleshaj tha se do të zbatohet ligji.
“Zyrat janë të shtetit dhe nuk janë të askujt, të gjithë jemi të përkohshëm dhe kohën na e përcakton ligji dhe në rastin e të zgjedhurve vendorë e ka përcaktuar vetë Kushtetuta. Ne urojmë që askush të mos çmendet për të zaptuar zyra që nuk i takojnë. Mandati është 4 vite i dhënë nga Kushtetuta, ndërkohë që në 30 Qershor kanë ndodhur zgjedhje të certifikuara nga të gjitha. Uroj që të kemi situata të kësaj natyre dhe njerëz të caktuar të dalin nga binarët ligjorë”, deklaroi Lleshaj.
Ndërsa për prefektët, të cilët kanë rol në konstituimin e këshillave bashkikë, Lleshaj dha disa udhëzime, ndërsa shtoi se në gusht nuk do të bëjnë pushime. “Të gjithë strukturat do të marrin pushimet pas shtatorit. Prefektët kanë një rol kyç përsa i përket konstituimeve në lidhje me bashkitë, kështu që të intensifikojnë kontrollet për shërbimet për qytetarët, si ndaj administratës së bashkive, por edhe degëve të pushtetit qendror që të dyja këto struktura të bashkërendojnë punën”, tha Lleshaj.
Duke qenë se procesi pritet të ketë ndërlikime për arsye të ankimeve, Lleshaj ka kërkuar që pasi të jenë marrë të gjitha vendimet gjyqësore, prefektët të organizojnë punën për të bërë konstituimin e organeve të reja. “Kushdo që dorëzon detyrën, ta dorëzojë me dinjitet dhe ai që e merr, ta marrë me dinjitetin e nevojshëm. Duhet komunikim mes stafeve që dorëzojnë dhe atyre që marrin detyrën. Që tani në moderimin e prefektëve të vendosin kontakte që procesi të ndodhë i rregullt, i organizuar dhe qytetar që të arrihet që të përcillen mesazhet duhura. Duhen akte dorëzimi dhe marrje në të gjithë bashkitë. Nuk mund të presim perfeksion në këtë punë, por qëllimi do të jetë ky”, kërkoi ministri i Brendshëm.