PD e Lezhës përdor dekretin e Metës, padit KQZ në prokurori

AKTUALITET


Dega e Partisë Demokratike në Lezhë e cila vazhdon të respektojë dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, ka depozituar një padi në prokurori, përmes të cilës ka paditur KQZ, komisionerët dhe numëruesit e PS, të cilët organizuan zgjedhje në kundërshtim me dekretin e presidentit.

Me një dokument që mban datën 12 korrik, PD i ka kallëzuar penalisht ata në Prokurorinë e Lezhës për shpërdorim detyre, falsifikim të dokumenteve dhe rezultatit në zgjedhje, dëmtim të materialit zgjedhor, shkelje të fshehtësisë së votimit, kanosjes së zgjedhësit, dhe votim më shumë se një herë ose pa u identifikuar.

Baza ligjore e këtij kallëzimi, siç dega e PD-së në Lezhë shprehet, është dekreti i Presidentit i 10 qershorit, për shfuqizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në padi shkruhet se dekreti i presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit është në fuqi pasi është botuar në Fletoren Zyrtare dhe si rrjedhojë çdo organizim i mëtejshëm i procesit zgjedhor duhej të ndërpritej, dhe çdo strukturë e ngritur mbi bazën e një dekreti të shfuqizuar ka funksionuar totalisht në shkelje me ligjin.

PD e Lezhës i kërkon prokurorisë hetimin e mëtejshme rreth organizimit të paligjshëm të zgjedhjeve dhe manipulimeve të kryera siç pretendon ajo.

Kujtojmë se KQZ vendosi ta cilësojë nul dekretin e presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor për shkak se është një vendim i marrë në shkelje të kompetencave që i njeh Kushtetuta. Edhe Kolegji Zgjedhor që është “gjykata e apelit” përsa i përket çështjeve zgjedhore e cilësoi nul dekretin e Metës, kështu që padia e PD-së është thjeshtë një përpjekje e fundit për të kundërshtuar zgjedhjet e 30 qershorit por që nuk ka bazë ligjore.



Skip to toolbar