Prishja e një lokali në Ksamil ka shkaktuar një përplasje mes IKMT-së dhe familjarëve që posedonin ndërtimin pa leje, të cilët kanë goditur punonjësit me gurë. Banorët kanë gjuajtur me gurë xhamat e makinave të punonjësve të IKMT, dëmtuar edhe punonjësit e IKMT-së.
Menjëherë pas këtij sulmi ndaj punonjësve të IKMT në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forcat e policisë, që kanë nisur hetimet për identifikimin e personave që sulmuan punonjësit në krye të detyrës. Policia tha se ka shoqëruar disa persona, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të përplasjes dhe vendosjen para përgjegjësisë penale të agresorëve.
Vetëm pak ditë më parë IKMT prishi një tjetër lokal në Ksamil, i cili ishte ndërtuar në truallin e një pronari tjetër. Sulmi vjen pikërisht në ditën kur Kuvendi i Shqipërisë po miraton disa ndryshime në Kodin Penal për rritjen e dënimit ndaj personave që sulmojnë punonjësit e shtetit.
Ndërhyrjet e forta erdhën pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kur Kryeministri Rama paralajmëroi institucionet për zbatimin e ligjit, sidomos organet tatimore. Në të gjithë vendin, sidomos në zona bregdetare janë ngritur Task-Forca ndërmjet disa institucioneve me qëllim identifikimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë, ku janë përfshirë strukturat e IKMT, Tatimeve, AKU, Mjedisit dhe Policisë.