Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda, Olsjan Çela, kandidat për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, i cilësuar si rivali kryesor i Arta Markut.
Pas seancës dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vendimin këtë të martë duke e konfirmuar në detyrë Çelën. Vendimi është pritur me duartrokitje në sallë, ndërkohë që i pranishëm në seancë ishte vetë Olsjan Çela dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.
Olsian Çela, njëherazi rivali kryesor i Arta Markut në garën për Prokuror të Përgjithshëm u hetua në të tre kriteret, ndërsa iu bënë pyetje kryesisht mbi hetimin e një çështje të vitit 2006, për të cilat kishte dyshime se nuk ishin kryer të gjitha veprimet.
“Ne jemi vend i varfër, nuk i kemi mundësitë të vendosim burimet e duhura financiare dhe njerëzore për të arritur sukses në hetime”, tha Çela përmbledhtazi, ndërsa i shpjegoi KPK-së se përtej bindjes së tij të brendshme, hetimet në atë rast kishin dështuar të provonin fajësinë e personave të përfshirë. Ai tha se në atë rast kishte pasur mungesë vullneti për bashkëpunim nga policia, gjë që e cilësoi si problem sistematik.
Çela po ashtu u pyet, siç thanë anëtarët e trupës “për transparencë” edhe mbi disa transaksione finaciare brenda familjes kryesisht me nënën me të cilën jetonte në vlerë 66 mijë euro, për të cilat ai shpjegoi se ishin bërë vetëm për formalizim juridik të pasurive dhe se nuk kishin qëllime fitimi.
KPK vuri po ashtu në dukje një mospërputhje në shumën prej 355 mijë lekësh dhe mungesën e dokumenteve për një shit-blerje makine në vlerë 300 mijë lekë. Çela sqaroi procedurën për shumën e parë, por tha se për makinën nuk kishte gjetur dokumente, ndërsa deklaroi se ai kishet pasur të ardhura të mjaftueshme për transaksionin edhe sikur kjo shumë të mos konsiderohej e ligjshme.
Atij iu vu në dukje edhe nisja e një procedimi disiplinor nga Prokuroria e Përgjithshme. Procedimi, i cili quhej i mbyllur nuk kishte dalë me rezultat, pasi siç u tha në KPK kompetenca për të kryer këto procedime i takon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, organ i cili nuk është ngritur ende. Procedimi kishte të bënte me debatin e brendshëm në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për përfaqësimin e çështjes ndaj Emiljano Shullazit dhe të tjerëve. Atëherë një grup prokurorësh përfshi Çelën kundërshtuan veprimet e drejtueses së kësaj Prokurorie Donika Prela dhe më pas edhe ato të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku. Në një nga vendimmarrjet e tij të para Këshilli i Lartë i Prokurorisë rrëzoi me 6 vota, masat e marra nga Marku përfshi transferimin e Çelës në prokurorinë e Beratit. Çela ka një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, institucion të cilin e ka drejtuar midis vitit 2008 dhe vitit 2012.