Denar Biba, mesazh Metës dhe opozitës: Zgjedhjet, leksion shtetbërës. Ky është vetëm fillimi

Më të fundit


Nënkryetari i KQZ në përfundim të miratimit të rezultatit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, ka mbajtur një shënim të gjatë, duke treguar se këto zgjedhje nuk ishin të rëndësishme në vetvete, por ishin një leksion për politikanët që i bojkotuan dhe lanë Kuvendin e Shqipërisë. Sipas tij, në këto zgjedhje Kushtetuta prevaloi mbi pazaret e ngushta politike, pjesë e të cilave u bë edhe Presidenti Meta, që dështoi të sillej si kreu i shtetit, duke u sjellë si dado e politikanëve dhe garant i interesave të tyre.

Shënimi i plotë

Viti 2019, nga aspekti politik, përbën një periudhë, e cila më vonë, kur mendjet e turbullta dhe egot për pushtet të qetësohen, shpresoj se do të identifikohet si koha kur marrëveshja e madhe, Kushtetuta, prevaloi ndaj marrëveshjeve të vogla apo pazareve individuale të politikanëve që synuan t’i mbivendosen.

Marrëveshjet ndërmjet këtyre të fundit janë diçka normale, por ato duhet të jenë parimore dhe jo përpjekje për të shmangur rregullimet kushtetuese. 30 qershori 2019 është një ditë historike, jo sepse u zhvilluan zgjedhje, por sepse ndaluan një trend oportunist, sipas të cilit pazaret mes politikanëve po zëvendësonin rregullat që detyron Kushtetuta.

Kushtetuta është marrëveshja mes qytetarëve dhe pushtetarëve e si e tillë ka përparësi ndaj çdo marrëveshje që pushtetarët bëjnë me njëri-tjetrin. Për fat të keq, si rrallë ndonjëherë, këtë radhë edhe Presidenti i Republikës dështoi të sillej si Kreu i Shtetit dhe garant i Kushtetutës, duke u sjellë si dado i politikës dhe garant i interesave të saj e jo të shtetit.

Politika shqiptare vijon të shfaqet miope dhe pragmatiste, çka e bëri të domosdoshme (përsëri!) ndërhyrjen e partnerëve perëndimorë, të cilët bënë diferencën duke vendosur kahun e detyrueshëm të lëvizjes së vendit, edhe pse me minimumin e taktit diplomatik. Fundja kështu i do mushka drutë! Për shkak të eksperiencës me sistemin, partnerët ndërkombëtarë kuptuan se piruetet demokratike po bëheshin në dëm të Shtetit të së drejtës dhe se nuk mund të ketë “shtet demokratik” nëse shteti degradon nga rregulla në pazare.

KQZ, më saktë shumica e ndriçuar e tij, me vetëdije zgjodhi rrugën e vështirë e të pashkelur të qëndresës përballë paligjshmërisë. Mesa kuptoj, ky është vetëm fillimi. Por ne bëmë një zgjedhje. Me kosto, shoqërore e personale, por të domosdoshme. Duke injoruar interesat meskine dhe planet individuale ne iu përgjigjëm thirrjes së ligjit dhe të Kushtetutës. Nëse për dikë këto fjalë duken klishe e retorikë boshe, ky është problemi i tij. I madh.

Zgjedhjet për pushtetin vendor sot përfundojnë me shpalljen nga KQZ të rezultatit përfundimtar, por nuk duhet të harrojmë se ky rezultat nuk ishte qëllimi real i këtij procesi, kështu si u katandis. Përkundrazi! Sa i përket vetë rezultatit, ai u kuptua që përpara ditës së votimit dhe kjo është më së paku e trishtë.

Por katër vite, deri në zgjedhjet e ardhshme vendore, ndonëse duken shumë në jetën e një njeriu, nuk janë asgjë në përpjekjen e një kombi për vendosjen e demokracisë liberal-kushtetuese. Ndaj, synimi përfundimtar i procesit (të sforcuar) nuk ishin zgjedhjet në vetvete, por leksioni shtetformues për klasën politike shqiptare, ende të papjekur. Ca politikanë iu përplasën derën mandateve të sigurta, ca të tjerëve mandatet iu zunë derën.

Për sa na takon ne, qytetarëve të thjeshtë a funksionarëve publikë të këtij vendi, s’na mbetet veçse të vazhdojmë të besojmë te sistemi, me dëshirën e mirë se leksioni është marrë nga politikanët dhe se nuk do kemi më braktisje të parlamentit apo të zgjedhjeve në të ardhmen. Tridhjetë vite përpjekje për demokraci dhe shiko sa pak kemi arritur! Historia, thonë, është mësuese e mirë, por popujt janë nxënës të këqij. Sidoqoftë nuk është kurrë vonë për të dalë nga zona e mbetësve.



Skip to toolbar