Dy banorë të “Unazës së re”, të cilët ishin shpallur në kërkim nga policia për shkak të përplasjeve të dhunshme më 23 korrik mes banorëve dhe uniformave blu janë dorëzuar në polici. Sipas të dhënave nga policia, dy banorët e vetëdorëzuar janë Lutfi Kastrati dhe Gëzim Sadikaj.
Kastrati dhe Sadikaj ishin të shpallur në kërkim nga policia që në datën 23 korrik pas përplasjes së dhunshme me policinë, duke tentuar të pengonin rrëzimin e banesave të tyre.
Burime policore bëjnë me dije se shtetasit kanë deklaruar se nuk kishin dijeni që ishin në kërkim nga policia. Sipas tyre një gjë të tillë e kanë mësuar të shtunën dhe ashtu siç u është kërkuar, të dielën janë paraqitur në komisariatin përkatës.
Policia tha se dy banorët do të merren në pyetje dhe pas konsultimit me prokurorin do të vendoset sesi do të procedohet me ta, nëse do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë, apo do të arrestohen për kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë.