Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha të hënën se bizneset që kapen 3 herë mat pa lëshuar kupon do të shkojnë për ndjekje penale.
Denaj ka vazhduar inspektimin në Tiranë të aksionit kundër informalitet, ndërsa deklaroi se përgjegjësit që shkelin ligjin do të ndiqen penalisht nga organet kompetente të drejtësisë.
“Është e rëndësishme të kuptohet se duhet të pritet kupon tatimor edhe në hyrje të lokaleve të natës për të shmangur penalizimet drastike. E kërkojmë këtë pasi nuk do të donim të ishim as në pozitat e vendosjes së shiritave dhe as të ndjekjes penale”, tha ministrja Denaj.
Edhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ervin Hoxha, tha se gjatë kontrolleve të ushtruara janë konstatuar lokale me xhiro të lartë, që kanë shmangur detyrimin për të prerë kupon tatimor.
“Kemi vënë re tendenca për mosdeklarim dhe mos përmirësim të xhiros nga këto subjekte, që janë me risk të lartë. Ju bëjmë thirrje që të vetëpërmirësohen dhe vetëdeklarohen sepse kontrollet do të vazhdojnë në mënyrë që të përmirësojmë këtë situatë”, tha Hoxha.
Gjithashtu, një aspekt i rëndësishëm në luftën kundër informalitetit është edhe ndryshimi i ligjit të Procedurave Tatimore, si pjesë e paketës “Moneyval”, për të cilin Denaj kërkoi bashkëpunim e tatimpaguesve për zbatimin e plotë të tij.
“Ju lutemi tatimpaguesve të hapin llogaritë bankare, të regjistrojnë biznesin sipas procedurave ligjore. Nëse respektojmë rregullat, respektojmë ligjet shqiptare, atëherë do të kemi më pak inspektime, një marrëdhënie korrekte dhe garantim të konkurrencës së ndershme në treg”, tha ministrja Denaj.
Gjatë dy javëve të fundit ministria e Financave në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimeve kanë nisur një aksion të gjërë në kuadër të luftës kundër informalitetit, duke mbyllur një sërë hotelesh apo lokalesh që janë kapur duke mos lëshuar kuponin tatimor.