Ambasadori i Norvegjisë Per Strand Sjaastad ka bërë të ditur se Norvegjia mbështet çeljen e negociatave me Shqipërinë në tetor, ndërsa ka vlerësuar të suksesshme ecurinë e deritanishme të Reformës në Drejtësi. Këtë deklaratë ambasadori norvegjez e bëri gjatë një takimi që zhvilloi me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ku më tej firmosën një marrëveshje lidhur me financimin dhe zbatimin e projektit “Forcimi i sistemit të ndërmjetësimit në Shqipëri”, të financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë.
Teksa u diskutua hollësisht situata në Shqipëri, diplomati i lartë përgëzoi Gjonajn për iniciativat e ndërmarra lidhur me rigjenerimin e sistemit të drejtësisë, duke e konsideruar si një hap përpara për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sjaastat u shpreh se shteti norvegjez është i gatshëm për të dhënë ndihmën e tij në raport me projekte të mundshme të cilat do të zhvillohen, sidomos në fushën e drejtësisë.
“Shembull suksesi të kooperimit të dy shteteve”,u shpreh Sjasstat, “është projekti për ndërmjetësimin. Për sa i përket këtij projekti dhe zhvillimit e projekteve të mëtejshme ju këshillojmë që ndërmjet ministrisë dhe ekspertëve, të rritet dhe të lehtësohet komunikimi midis palëve, të përshpejtohet zhvillimi dhe miratimi i akteve nënligjore të cilat lehtësojnë zhvillimin dhe implementimin e projekteve, të forcohet sistemi referues për dhënien e alternativave të ndryshme ndaj publikut dhe të rritet niveli dhe bashkëpunimi i grupit të ekspertëve”.
Per Strand Sjaastad u shpreh se vendi i tij është pro hapjes së negociatave me Shqipërinë në Bashkimin Evropian duke e konsideruar Tiranën zyrtare si një faktor kyç për stabilitetin në Ballkan.
Nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje Shqipëria përfiton rreth 600000 euro që do të shërbejnë në fushën e ndërmjetësimit, në formën e asistencës teknike, por dhe financiare dhe që synon të rrisë aksesin e qytetarëve në drejtësi.
Një tjetër diplomat i huaj vlerëson të suksesshme reformën në drejtësi, e cila është sulmuar ashpër si nga presidenti Meta ashtu edhe nga opozita. Madje ai thotë se reforma në Drejtësi e çon Shqipërinë një hap pranë integrimit në BE, ndërsa Norvegjia mbështet çeljen e negociatave me Shqipërisë. Deklaratat e tij bien ndesh me parashikimet e presidentit Meta i cili ka thënë se nëse nuk mbahen zgjedhje në 13 tetor nuk ka çelje të negociatave me BE.