Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka thirrur zhvillimin e një tryeze me pjesëmarrjen e partive politike parlamentare dhe jo parlamentare ku do të diskutohen rekomandimet për realizimin e reformës zgjedhore. Tryeza do të zhvillohet në datën 25 shtator dhe ftesa për pjesëmarrje i është dërguar edhe Partisë Demokratike.
Kjo tryezë ku palët pritet të ulen përballë njëri-tjetrit, duket si hapi i parë për nisjen e negociatave apo dialogut politikes mes opozitës dhe maxhorancës.
Ajo çfarë nuk dihet deri tani është fakti nëse PD dhe aleatët e saj do të marrin pjesë.
Një ditë më herët, Basha njoftoi se opozita e bashkuar është duke përgatitur një platformë për të dalë nga kriza, ndërsa theksoi se zgjidhja do të vijë nga brenda vendit dhe jo nga ndërkombëtarët. Ndaj dhe mbetet ende pikëpyetja nëse Basha do të pranojë ose jo ftesën e OSBE-së. Reforma zgjedhore është një nga pikat që përmban platforma e opozitës. Ndërsa maxhoranca është shprehur prej kohësh se është gati të bashkëpunojë me PD dhe opozitën jashtëparlamentare për realizimin e kësaj reforme. Hapin e parë për nisjen e negociatave dhe dialogut po e bën OSBE, tani i mbetet partive politike në Shqipëri që të bëjnë hapin e rradhës, si një mundësi për të dalë nga kriza.