Policia ka arrestuar 8 persona gjatë 48 orëve të fundit mes tyre dy punonjës policie dhe kryeplakun e fshatit të cilët nuk raportuan kultivimin e kanabisit në Kukës e Mallakastër.
Në pranga kanë rënë R.C. 58 vjeç, punonjës policie me detyrë ndihmës specialist i Policimit në Komunitet në Kukësit, për veprën penale të “Shpërdorim detyre”;
H.Y., 64 vjeç, kryeplak i fshatit Piskë në Kukës, për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
B.M., 58 vjeç, banor i fshatit Piskë, Njësia Administrative Shënmri, Kukës, për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”.
Nga hetimet, rezulton se punonjësi i Policisë dhe kryeplaku i fshatit Piskë, në shkelje të ligjit kanë lejuar dhe garantuar autorët e dyshuar të kryejnë veprimtari të kundraligjshme. Edhe pse dyshohet se kishin dijeni mbi kultivimin e narkotikëve, ata nuk kishin informuar autoritetet.
Hetimet vijojnë në lidhje me implikime të tjera të mundshme.
Ndërkohë, gjatë të mërkurës në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Berat dhe Komisariatin e Policisë Mallakastër, është arrestuar një tjetër punonjës policie në Mallakastër. L. XH., 51 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Komisariatin e Policisë Mallakastër, është i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.