Gjykata Kushtetuese vijon të jetë jofunksionale për shkak se gjyqtarët janë shkarkuar nga vettingu dhe të tjerët janë tërhequr për t’i shpëtuar atij. Për këtë arsye presidenti Meta ka përsëritur thirrjen ndaj të interesuarve që të aplikojnë për vendet bosh në këtë gjykatë.
Në arsyetimin e tij Meta ka sqaruar se në bazë të procedurave, si kandidatë për zëvendësimin e ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, janë vetëm dy emra, ndërkohë që duhet të ishin të paktën 3. Aktualisht në garë për këtë detyrë janë Besnik Muçi dhe Regleta Panajoti.
Në bazë të ndryshimeve ligjore, Këshilli i Lartë i Emërimeve në Drejtësi ka verifikuar kandidaturat e paraqitura për plotësimin e vendit vakant për postin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, të krijuar nga përfundimi përpara kohe i mandatit, të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj dhe ka evidentuar se nga 15 kandidatë që kanë shprehur interesin për konkurrim, kanë ngelur në garë vetëm dy kandidatë të lejuar për kandidim. Konkretisht, Besnik Muçi dhe Regleta Panajoti. Por në bazë të ligjin duhet të jenë jo më pak se 3 kandidatë. Për këtë qëllim KED i ka kërkuar presidentit që të rishpallë thirrjen për paraqitjen e të tjerë kandidatëve për këtë post.
Në respekt të ligjit presidenti ka dekretuar edhe njëherë shpalljen e vakancës në Gjykatën Kushtetuese dhe fton të interesuarit që përmbushin kriteret që të aplikojnë.
Kriteret janë të parashikuara në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”. Personat e interesuar duhet të paraqesin pranë Institucionit të Presidentit të Republikës listën me dokumentet e parashikuara në ligj.
Pas administrimit të dokumentacionit, lista e aplikuesve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Institucionit të Presidentit të Republikës. Lista e aplikuesve dhe dosjet respektive të tyre do t`i përcillen menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vijimin e procedurës së verifikimit dhe vlerësimit sipas ligjit.
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës.
Gjyqtari nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
Me ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese plotësohet një nga kushtet e Bundestagut gjerman për Shqipërinë. Funksionimi i kësaj gjykate është i rëndësishëm për të zgjidhur shumë çështje të debatit politik në Shqipëri ku më kryesorja është dekreti i presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor, për të cilin kuvendi ka nisur procedurat për shkarkimin e tij pasi mendon se ka shkelur kompetencat kushtetuese. Pikërisht për të vlerësuar këtë fjalën e fundit do ta thotë gjykata kushtetuese./realstory.al