Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë 4 persona të cilët shpërndanin drogë në “bulevardin” e Babrroit, ndërsa 5 të tjerë janë vënë në procedim penal për mos kallëzim krimi.
Policia ndërmori operacionin e koduar “Bulevardi” dhe gjatë arrestimit sekuestroi 320 doza me lëndë narkotike të dyshuar kanabis, dorezë metalike, fishekë luftarakë dhe 1 pistoletë lodër.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve kishte marrë informacione në rrugë operative se disa persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike në formë dozash në zonën e Bulevardit të ri, Babrroit dhe në rrugën dytësore në autostradë.
Gjatë operacionit policor u arrestuan shtetasit: F. T., 22 vjeç, A. C., 16 vjeç, dhe E. D., 18 vjeç, banues në Tiranë, të cilit u kapën në flagrancë me doza lënde narkotike kanabis.
Po në vijim të operacionit u arrestua në flagrancë dhe një tjetër shtetas, L. F., 19 vjeç, pasi në rrugën “Pjetër Dungu”, gjatë kontrollit fizik policia i gjeti 19 doza lëndë narkotike e dyshuar kanabis.