Unioni i Gjyqtarëve reagon pas Ramës: Cënohet pavarësia e gjyqësorit

AKTUALITET


Unioni i Gjyqtarëve ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Rama për prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar të cilëve u vuri emrin KÇK (kap ça të kapësh) dhe i cilësoi si grup kriminal. Unioni i Gjyqtarëve e cilëson këtë qëndrim të Ramës, si një përpjekje për të cënuar pavarësinë e gjyqësorit.

“Qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Parimi i ndarjes së pushteteve qëndron në themel të demokracisë sonë kushtetuese dhe presupozon që asnjë pushtet nuk është epror ndaj tjetrit.

Shoqatat tona janë të hapura për individualizimin e çdo shkeljeje ligjore në veprimtarinë e gjyqtarëve apo problematikave në tërësi në sistemin e drejtësisë dhe kanalizimin e tyre në institucionet përkatëse, në formën e sanksionuar nga legjislacioni në fuqi. Organizmat përfaqësuese të gjyqtarëve, që në fillimet e procesit të reformës në sistemin e drejtësisë kanë shprehur mbështetjen e tyre të pakursyer për këtë reformë, duke kontribuar në mënyrë aktive, me qëllim arritjen e një produkti sa më cilësor.

Ndërsa qendrimet agresive e të adresuara gabim, në kohën e zbatimit të një reforme kaq të thellë për sistemin, sjellin pasoja të dëmshme për reformën. Së fundi, Shoqata Kombëtare dhe Unioni i Gjyqtarëve dëshirojnë të ftojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, si institucioni i ngarkuar me garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor si dhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të palodhur për konceptimin dhe vënien në jetë të reformës në drejtësi, për të mbajtur qëndrimin e tyre në lidhje me sjelljet shfaqura kohët e fundit”, shkruhet në reagimin e Unionit të Gjyqtarëve.

Një ditë më herët nga salla e Kuvendit, kryeministri Rama apeloi reagim më të fortë dhe më të ashpër ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar.

 “I them parlamentit se ka ardhur koha që të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar vetingun. E dinë që nuk e kalojnë dhe kanë nxjerrë dhe një togfjalësh mes tyre, KÇK, (kap ca të kapësh). Këtë grupim KCK ky parlament duhet ta shpalli grup në kërkim, jo metaforikisht, e them në mënyrë të drejtëpërdrejtë”- tha Rama të mërkurën./realstory.al



Skip to toolbar