Kryeministri Edi Rama, këtë të diel ka publikuar një video, ku tregon sesi do të jetë Piramida në Tiranë, pas rikonstruksionit të saj. Rama shkruan se pas 30 vitesh në agoni, Piramida do të kthehet në një tjetër kryevepër të zhvillimit urban.
“Projekti i Rilindjes së Piramidës, e cila pas 30 vjetësh agoni, do të kthehet në një tjetër kryevepër të zhvillimit urban, që do të përhapë kudo nëpër botë lajmin e radhës për Tiranën e për Shqipërinë moderne që duam, duke u bërë pikëtakimi i ri i më të rinjve me të ardhmen, si edhe një tjetër zonë tërheqëse për të gjitha moshat, ju uroj një të dielë të bukur”, shkruan Rama.
Piramida e Tiranës është padyshim simbol si edhe pikë referimi e kryeqytetit, një relike e një të shkuare të trazuar dhe një të ardhmeje të pasigurte. Në vitet pas-komunizmit, u vendos që Piramida të shkatërrohej, por ajo ende qëndron, ndonëse e degraduar, në qendër të bulevardit kryesor të qytetit.