Studentët, pjesë të “Lëvizjes për Universitetin” e kanë nisur me protestë vitin e ri akademik ndërsa kanë kërkuar shfuqizimin e ligjit për Arsimin e Lartë dhe kanë hedhur akuza drejtuar qeverisë duke thënë se nuk përfitojnë asgjë me kartën e studentit.
Studentët e kësaj lëvizje njoftojnë se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e disa kërkesave, sipas tyre, ende të parealizuara nga qeveria dhe universitetet. Kërkesa kryesore mbetet anulimi i ligjit të arsimit të lartë, dyfishimi i buxhetit për universitetet dhe heqja e tarifës për masterin.
“Karta e Studentit është vetëm për muze dhe nuk ofron asnjë ndihmë të qirasë, ushqimeve, rrobave, librave dhe transportit ndërqytetas. Buxheti për arsimin është ulur rreth 3 milionë euro, abuzimet e pedagogëve të korruptuar vazhdojnë si më parë. Ne do të vazhdojmë betejën dhe nuk do të ndalemi derisa të përmbyset ligji”, thotë një nga studentet.
Rreth një vit më parë studentët ndërmorën një varg protestash përmes të cilave kërkonin ulje të tarifave të studimit. Qeveria hartoi paktin për Universitetet përmes të cilit vendosi përgjysmim të tarifave të studimit dhe bursa për studentët ekselentë dhe ata që vijnë nga shtresat në nevojë, por mesa duket ka nga ana studentë që ende nuk janë të kënaqur me këto masa.