Kryeministri Rama njofton se ka zhvilluar një telefonatë 45-minutëshe me kancelaren gjermane Angela Merkel me të cilën ka biseduar për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE pas vendimit të Këshillit të Europës për të mos hapur negociatat në samitin e Brukselit, pas vetos së vendosur nga Franca e presidenti Macron i cili kërkoi stopimin e procesit të zgjerimit të BE-së deri në reformimin e Unionit.
“Gjatë një telefonate rreth 45 minuta me Kancelaren Merkel vendosëm të gjitha pikat mbi “i” për ecurinë e mëtejshme të përpjekjeve të përbashkëta për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Kancelarja rinënvizoi qëndrimin e Gjermanisë në mbështetje të Shqipërisë. Danke Angela”, shkruan Rama duke falënderuar në gjermanisht kancelaren gjermane.
Kujtojmë se Gjermania mbështeti çeljen e negociatave për Shqipërinë, ndërsa kancelarja Merkel loboi në BE në mbështetje të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, megjithëse në përfundim të samitit ajo tha se “fatkeqësisht nuk e mbajtëm premtimin” por mbështet propozimin e Macron se BE ka nevojë për reformim. Rama nuk ka dhënë më shumë informacion se çfarë ka biseduar me Merkel dhe se kur do t’i jepet mundësia Shqipërisë që të nisë negociatat me BE-në. Të gjitha gjasat janë që tema e negociatave të diskutohet sërish nga liderët e BE-së në samitin e Zagrebit që do të zhvillohet në maj të vitit 2020./realstory.al