INSTAT: 20 divorce në 100 martesa, shtohen paditë në gjykata

AKTUALITET


Sipas të dhënave të INSTAT, numri i divorceve në vendin tonë ka njohur një rritje të madhe. Shifrat për vitin 2017 thonë se norma e divorcit pësoi rritje, duke arritur 19.9 divorce në 100 martesa.

Por problematika shtohet më shumë kur bëhet fjalë për fëmijët që janë në mes të një martese të dështuar. Ekspertët e fushës ligjore flasin se përveç  gjyqeve për divorc kanë pësuar një rritje të madhe numri i gjyqeve që lidhen me problemin e pensionit ushqimor, që në rast divorcesh babai ka detyrimin ligjor t’ia paguajë fëmijës apo fëmijëve të tij.

 “Masa e pensionit ushqimor, (7000 lekë në muaj), rezulton diskriminuese në çdo rast e nuk përfaqëson kurrsesi interesin më të lartë të fëmijëve. Mungesa e referencës së një akti të tillë, ka prekur drejtpërsëdrejti mijëra fëmijë përgjatë këtyre viteve e vijon të prekë sërish të tjerë ditë pas dite, duke cënuar kësisoj një standard të pranueshëm. Nevojitet një trajtim specifik i këtij problemi, detyrim parësor i institucioneve të linjës, një studim i mirëfilltë me specialistë të fushës, drejt krijimit të një standardi i cili presupozon plotësimin e nevojave fizike, psikologjike dhe sociale të çdo fëmije, në mënyrë të pajtueshme me dinjitetin e duhur të secilit, referuar standardeve ndërkombëtare caktuar për këtë qëllim”- është shprehur avokatja Denisa Daka në një prononcim për revistën Monitor. Ajo thotë se në dyert e Gjykatës, në mes çështjeve familjare, ka një rritje padish për pensionin ushqimor.

“VKM e munguar lidhur me minimumin jetik për fëmijë, penalizon ditë pas dite shumë familje. Ende nuk ka një studim të mirëfilltë lidhur me minimumin jetik për fëmijë, nismë e cila nuk u morr në asnjë rast nga insitucionet përgjegjëse këtu e për pasojë nuk ekziston një VKM orientuese e detyruese për këtë qëllim”-shton avokatja, duke cilësuar si tejet të rëndësishme edhe domosdoshmërinë që në buxhetin e shtetit të aprovohet një zë i posaçëm për këtë shkak.

Sipas Gjykatës së Tiranës, paditë për pension ushqimor gjatë këtij viti, nga janari deri në 20 tetor, janë në total 22, ndër të cilat vetëm 12 çështje janë përfunduar dhe 8 të ankimuara. Sipas specialistëve, kjo ndodh në rastet kur bashkëshorti pjesë e procesit të divorcit, mohon dhënien e pagesës mujore së detyruar për fëmijën ose caktohet nga vetë gjykata pagesa minimale e parashikuar.



Skip to toolbar