Dolën fitues në zgjedhjet e 30 qershorit, por 13 kryebashkiakë të Partisë Socialiste nuk kanë deklaruar ende në KQZ shpenzimet e fushatës elektorale.
Në raportin financiar të Partisë Socialistë të Shqipërisë, të dorëzuar në Komisionin Qendror të zgjedhjeve për zgjedhjet e 30 qershorit, në fund ndodhet tabela 4/b me titull “Raportet e Kandidatëve”.
Në këtë tabelë vërehet se kandidatët e PS-së, të cilët aktualisht janë kryetarë të bashkive Durrës, Elbasan, Finiq, Has, Këlcyrë, Malësisë e Madhe, Memaliaj, Pogradec, Poliçan, Përrenjas, Pukë, Shkodër dhe Skrapar nuk kanë deklaruar asnjë shpenzim për fushatën zgjedhore ku nuk merrte pjesë opozita e bashkuar. Ndërkohë, po në këtë tabelë tregohen edhe kandidatët të cilët kanë shpenzuar më shumë. Sipas raportit të depozituar nga PS-ja në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kandidati që ka shpenzuar më shumë është kryebashkiaku aktual i Vlorës, Dritan Leli, 3.190.641 lekë, raporton gazeta Panorama.
Kandidati i dytë që ka shpenzuar më shumë në fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit është Safet Gjici në Bashkinë e Kukësit me 2.844.180 lekë. Dhe në vend të tretë renditët Kandidati i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, i cili ka më shumë se dy mandate me 1.940.000. Ajo që bie në sy është shuma e shpenzuar nga kryebashkiaku aktual i Tiranës, Veliaj, i cili ka deklaruar se ka shpenzuar shumë herë më pak se kolegët e tij në bashki më të vogla. Sipas raportit financiar të PS-së, Veliaj ka shpenzuar vetëm 255.000 lekë.