Shoferi i kamionit ku u gjetën të vdekur 39 persona në Essex të Anglisë, Maurice Robinson, 25 vjeç, nga Craigavon në Irlandën Veriore, do të paraqitet të hënën në Gjykatën e Magjistraturës Chelmsford.
Trupat u gjetën në një rimorkio në orët e para të së mërkurës, në një pronë industriale në Grays. Testet e ADN-së po kryhen në Vietnam për të ndihmuar në identifikimin e të vdekurve.
Robinson akuzohet për vrasjen e 39 personave, për trafikimin e njerëzve, dhe bashkëpunim në imigracionin e paligjshëm dhe pastrimin e parave.
Policia e Essex konfirmoi gjithashtu se një tjetër person është arrestuar në Dublin nga policia irlandeze të Shtunën dhe që mund të ketë lidhje me ngjarjen.
Tre persona të tjerë të arrestuar në lidhje me vdekjen e 39 personave, u lanë të lirë me kusht.
Detektivët tani janë duke punuar në procesin më të madh të identifikimit të viktimave. Fillimisht, policia tha se viktimat ishin kineze, por një numër i familjeve vietnameze kanë përshkruar sesi ata frikësohen se të dashurit e tyre janë mes të vdekurve.
Disa prej viktimave thuhet se kanë paguar mijëra paund për të garantuar kalimin e tyre të sigurtë në Mbretërinë e Bashkuar, nga ku do të ishin në gjendje të punonin në mënyrë që paratë t’i dërgonin në shtëpitë e tyre.